Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarret në Europë, Rama: Duhet të jemi të përgatitur

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse dhe Emergjencave Civile për përballimin e situatave të krijuara nga zjarret, gjatë një takimi me ekipet e emergjencave në Bazën Ajrore të Farkës.

Rama u ndal te situata e rënduar nga zjarret në Europë, duke theksuar se ndryshimet klimatike kanë bërë që zjarret masive të mos jenë më ngjarje të jashtëzakonshme, por një sfidë e vazhdueshme për të gjitha vendet.

Kryeministri shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Francën dhe Spanjën, ku zjarret kanë shkaktuar evakuime të shumta dhe dëme të mëdha. Ai theksoi se Shqipëria është e gatshme të ofrojë ndihmë për vendet fqinje në rast nevoje, ashtu siç ka marrë edhe vetë ndihmë në situata të ngjashme.

Rama tha se Shqipëria është përgatitur për sezonin e zjarreve dhe se janë ndërmarrë një sërë masash për forcimin e kapaciteteve të emergjencave. Sipas tij, vendi ka në dispozicion helikopterë për ndërhyrje dhe është mbyllur procedura për tre avionë që pritet të mbërrijnë në fund të vitit dhe të jenë në pronësi të shtetit shqiptar.

“Zjarret e mëdha nuk janë më një përjashtim, janë rregulli i një klime të ndryshuar”, u shpreh Rama, duke shtuar se Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e përgatitur për përballimin e situatave të tilla.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kontributin e partnerëve, ndërsa theksoi rëndësinë e koordinimit të të gjitha strukturave për mbrojtjen e jetëve dhe pasurive natyrore./L.F-dritare.net