Sulmi ndaj policëve, Balla: Të organizuara nga njerëz të lidhur me Iranin!
Dritare.net

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar aktet e dhunës të shënuara gjatë protestës dhe sulmet ndaj punonjësve të policisë.
Balla tha se katër efektivë janë plagosur dhe ndodhen në QSUT, ndërsa u shpreh se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Ai akuzoi gjithashtu persona të lidhur, sipas tij, me Gardën Revolucionare të Iranit si organizatorë të akteve të dhunshme dhe i bëri thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga dhuna.
Taulant Balla tha:
“Shprehim solidaritetin dhe lutjet që 4 punonjës të policisë të plagosur nga dhuna barbare nga disa elementë terroristë, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë goditur punonjës të policisë së shtetit, të cilët janë aktualisht në QSUT, të mos rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre.”
Balla deklaroi se nuk do të tolerohen sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe kërkoi që Kuvendi të dënojë ashpër dhunën.
“Ne për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit. Gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit. Kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit. Policia po bën punën e vet. Thirrja ime është për drejtësinë. Kuvendi duhet ta dënojë ashpër dhunën.”