Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Balla-Bardhit: Plotësoji kërkesat protestuesve, çoje Saliun në burg

Një përplasje verbale është shënuar në sallën e Kuvendit mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Debati nisi pasi Bardhi kundërshtoi projekt-kalendarin e Kuvendit dhe kërkoi që kërkesat e protestuesve jashtë Parlamentit të përfshihen në punën e Kuvendit. Ai gjithashtu kërkoi ndalimin e përdorimit të forcës ndaj protestuesve.

Gazment Bardhi tha:

“Së pari, ky Kuvend duhet t’i kërkojë Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë. Është e papranueshme që sot godina e Kuvendit të ketë një perimetër të zgjeruar, a thua se qytetarët tanë na rrezikojnë ne. Pa diskutim, Taulant, rrezikojnë të të bëjnë pis kostumin me vezë, e di që e ke të shtrenjtë.”

Bardhi vijoi duke akuzuar policinë për përdorim të mjeteve disproporcionale ndaj protestuesve dhe tha se kërkesat e qytetarëve duhet të merren në konsideratë nga Kuvendi. Në përgjigje, Taulant Balla iu drejtua Bardhit duke komentuar deklaratat e tij për kostumin dhe protestuesit.

Taulant Balla tha:

“Sa i përket pjesës së kostumit, nuk e mbush dot as nuk e kënaq dot kostumin tim. Është keqardhje e madhe që kreu i grupit të PD, PD e vlerave të mëdha, e përfundon diskutimin kështu.”

Balla gjithashtu iu përgjigj kërkesës së Bardhit për plotësimin e kërkesave të protestuesve, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Doni t’ia plotësoni kërkesat protestuesve. Saliu në burg, plotësoja pra, çoje Saliun në burg. Ia plotëson dot kërkesën.”/L.F-dritare.net