Dilni në protestë! Tabaku sfidon deputetët socialistë
Dritare.net

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka sfiduar deputetët socialistë që të dalin në protestë dhe të përballen me qytetarët që protestojnë kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku tha se protestuesit nuk ndihen të përfaqësuar nga parlamenti dhe kërkoi ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj tyre.
Jorida Tabaku tha:
“U ndjeva jashtëzakonisht keq duke hyrë në parlament kur shikon qytetarë që protestojnë dhe sulmohen nga policia. Ndërkohë që flasim, dalin pamje të qytetarëve që janë djegur. Qytetarët thërrisnin ‘Parlament i krimit’ dhe e kanë me mazhorancën. Provoni të shkoni në protestë!”
Pas kësaj deklarate, nga salla u dëgjua një thirrje: “Hajde dalim!”, ndërsa Tabaku u përgjigj:
“Unë dal çdo natë dhe nuk më prek njeri me dorë! Ata protestojnë kundër këtij parlamenti se nuk i përfaqëson. Policia e Shtetit të ndalojë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve. Qeveria shqiptare të përfshijë 4 projektligjet në rendin e ditës. Ndaloni prezantimin e njëanshëm dhe hajdeni me një produkt në interes të qytetarëve.”