Studimi: Cikli menstrual përkeqëson simptomat e ADHD-së te gratë
Dritare.net

Shumë gra me ADHD po raportojnë se simptomat e tyre përkeqësohen ndjeshëm gjatë ditëve para menstruacioneve. Tashmë, një studim i parë i këtij lloji nga Universiteti Queen Mary dhe King’s College London po heton lidhjen mes ndryshimeve hormonale, ciklit menstrual dhe efektivitetit të trajtimit për ADHD.
Layla Kornota, 30 vjeçe, e diagnostikuar me ADHD që në fëmijëri, thotë se rutina e saj e përditshme mbështetet tek alarmet në telefon, të cilat e ndihmojnë të mos humbasë përqendrimin. Por sapo afrohen menstruacionet, gjithçka ndryshon.
“Është sikur po përpiqesh të mbahesh me çdo kusht, ndërsa gjithçka të del jashtë kontrollit,” tregon ajo.
ADHD është një çrregullim neurologjik që ndikon në përqendrim, kontrollin e emocioneve dhe impulsivitetin. Në rrjetet sociale, shumë gra kanë treguar se simptomat e tyre rëndohen gjatë ciklit menstrual, një fenomen që tani po studiohet edhe shkencërisht.
Në kërkim janë përfshirë 50 gra me ADHD që marrin medikamente. Ato po regjistrojnë ndryshimet hormonale, simptomat dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme, për të parë nëse ekziston një model i qartë mes ciklit menstrual dhe efektivitetit të ilaçeve.
Një prej pjesëmarrëseve, 19-vjeçarja Héloïse, e cila studion për tri diploma universitare, thotë se medikamenti Ritalin zakonisht i jep disa orë përqendrim për të studiuar. Por gjatë menstruacioneve, sipas saj, ilaçi duket se nuk funksionon.
“Është sikur të humbasësh mbështetjen kryesore që të ndihmon të ecësh,” shprehet ajo.
Sipas psikiatres Sally Cubbin, e përfshirë në studim, rënia e nivelit të estrogjenit para menstruacioneve ndikon edhe te dopamina, hormoni që lidhet me motivimin dhe mirëqenien, duke bërë që simptomat e ADHD-së të bëhen më të forta.
Përveç vështirësive në përqendrim, gratë mund të jenë më impulsive, të marrin vendime të nxituara, të hanë më shumë ose të kenë dëshira të forta për ushqime të caktuara. Layla pranon se gjatë kësaj periudhe e ka shumë të vështirë të kontrollojë impulsin për të ngrënë, edhe kur e di se do t’i bëjë keq.
Ekspertët theksojnë se ADHD te gratë është studiuar shumë më pak se te burrat, pasi për dekada është konsideruar gabimisht si një çrregullim që prek kryesisht djemtë. Ata shpresojnë se ky studim do të ndihmojë në kuptimin më të mirë të rolit të hormoneve dhe në përshtatjen e trajtimeve sipas nevojave të grave.
Për Laylën, pjesëmarrja në studim ka qenë çliruese. “Të kuptosh se shumë gra kalojnë të njëjtën gjë çdo muaj të bën të ndihesh më pak vetëm,” thotë ajo./dritare.net