Si u kthye një fshat peshkatarësh në Marinën më të madhe të Korfuzit!
Dritare.net

Gouvia Marina është zemra e turizmit detar në Korfuz. Mbi 1,500 jahte mund të ankorohen njëkohësisht në këtë port modern, ku çdo verë mbërrijnë mijëra turistë nga e gjithë bota. Por pak e dinë se, vetëm disa dekada më parë, Gouvia ishte një fshat i vogël peshkatarësh.

Historia e këtij vendi nis shumë më herët. Në vitin 1716, gjatë sundimit venecian, në gjirin e Gouvias u ndërtua një arsenal detar, ku riparoheshin anijet luftarake të Republikës së Venecias. Rrënojat e tij ruhen ende sot dhe janë dëshmia se ky gji ka qenë gjithmonë një pikë strategjike në Mesdhe.

Transformimi i madh erdhi në vitet ’90. Shteti grek vendosi ta zhvillonte zonën duke ndërtuar marinën e parë private në vend. Koncesioni u dha kompanisë Gouvia Marina S.A., e cila ndërtoi portin modern dhe e hapi atë në vitin 1996.
Vendndodhja ishte ideale. Gouvia ndodhet në rrugën detare që lidh Adriatikun me Mesdheun, ndaj u bë shpejt një ndalesë e rëndësishme për jahte nga Italia, Kroacia, Mali i Zi dhe ishujt grekë.
Sot marina menaxhohet nga D-Marin, një nga kompanitë më të mëdha të marinave në Mesdhe. Investimet e vazhdueshme e kanë kthyer Gouvian në një port të standardeve ndërkombëtare, me shërbime moderne për jahte, restorante, hotele, dyqane dhe ambiente argëtimi.

Por përfituesi më i madh nuk është vetëm kompania që e administron. Është vetë komuniteti.

Fshati i dikurshëm i peshkatarëve jeton sot falë marinës. Restorantet, kafenetë, hotelet, supermarketet, serviset detare, qiratë e makinave dhe dhjetëra biznese të tjera mbështeten te mijëra turistët që mbërrijnë çdo sezon. Marina ka krijuar vende pune, ka rritur vlerën e pronave dhe e ka shndërruar Gouvian në një nga zonat më të zhvilluara të Korfuzit.

Gouvia dikur ishte një fshat i vogël, ku ka pasur shume njerëz qe kane kundershtuar zhvillimin, njerez që kanë pyetur nëse ia vlente të ndryshohej peizazhi. Tridhjetë vjet më vonë, përgjigjja duket se është dhënë nga vetë rezultatet: marina u bë zemra ekonomike e zonës/ dritare.net