Na ndiqni edhe në

Shqip

Roland Bimo: Non-grata e Berishës është çështje e mbyllur

Roland Bimo: Non-grata e Berishës është çështje e

Ish-ambasadori Roland Bimo beson se shpallja non-grata e Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit nuk do të hiqet. Ai foli në emisionin "Shqip" nga Dritan Hila në Dritare TV.

Dritan Hila e pyeti nëse ka ende shpresë për liderin e opozitës, pasi heqja e non gratës për Milorad Dodikun ngjalli pritshmëri edhe për Berishën. Sipas gazetarit, tani vijnë në pushtet demokratët, pikërisht ata që i dhanë këtë "damkë".

"Natyrisht që nuk kam prova që nuk hiqet, por me bindje të them që është çështje e mbyllur", u përgjigj Bimo.

Sipas tij, sa më shumë kohë kalon, aq më e pamundur bëhet heqja e non-gratës në formën si është dhënë. Ai nuk përjashton që Berisha të marrë viza humanitare apo shëndetësore, por thotë se përkufizimi që i është bërë në politikën amerikane "nuk ndryshon". Ish-ambasadori tha se Berisha e ka kthyer me mjeshtëri një çështje personale në çështje të partisë dhe më pas të gjithë Shqipërisë.

"Nga pala amerikane është thjesht një individ dhe familja e tij dhe nuk ka asnjë arsye pse të rëndojë mbi gjithë Partinë Demokratike dhe gjithë Shqipërinë", tha Bimo.

Sipas tij, në ditët e para pas shpalljes Berisha "ishte brilant", kur deklaroi se kjo ishte çështja e tij, se partia nuk kishte të bënte dhe se do ta zgjidhte vetë në gjykatë. "Ama ajo ishte fasadë, sepse praktikisht e ktheu në çështje të partisë",

Bimo pranoi edhe se kishte gabuar në pritshmëritë e tij për reagimin e shqiptarëve.

"Unë personalisht besoja që në momentin kur u shpall non grata, zoti Berisha do mbetej njeriu më i vetmuar në Shqipëri. Doli që kisha gabim", tha ai.

Sipas Bimos, edhe shqiptarët sillen si kombet e tjera, të cilat përballë të huajve "kanë një bërthamë nacionale mbi të cilën mblidhen"./dritare.net