Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Shqipja “Moderne” 

Nga Aleksandër Beçiri

Me tridhjetë e gjashtë germa, shqipja në parim duhet të jetë një ndër gjuhët më të pasura të globit. Madje, prania e kaq shumë shkronjave mund ta shpjegojë, në një farë mase, pse ne i shqiptojmë me më pak vështirësi se të tjerët gjuhët e huaja. Edhe pse për arsye historike shqipja ka qenë gjithmonë nën presion, ajo prapëseprapë u ka rezistuar stuhive të shekujve. Të kufizohesh gjeografikisht nga fqinjë si romakët me latinishten dhe grekët me greqishten, gjuhë që formojnë themelet e qytetërimit evropian e botëror, e të mos shuhesh, është meritë e pamohueshme e parardhësve tanë. Në periudha të ndryshme dhe momente kyçe të historisë, disa prej tyre kanë pasur vendosmërinë dhe përkushtimin ndaj shqipes, aq sa, edhe pse shpesh në mërgim të detyruar, të përndjekur e të syrgjynosur, nuk u janë kursyer as vuajtjet, as dhimbjet, madje as jeta.

Nga ky këndvështrim, ndikimet gjuhësore nga vendet fqinje më duken krejt normale: ndikimet greke, italiane apo turke përkundrejt shqipes, deri në një shkallë të caktuar, janë të shpjegueshme dhe të pranueshme. Nuk mund të flasim për mjekësi, anatomi, luftë apo filozofi pa iu shmangur terminologjisë së lashtë greke apo asaj latine. Përsa u përket huazimeve të fjalëve turke, pesëqind vjet pushtim dhe sundim kanë lënë, padyshim, gjurmët e veta.

Por nuk është ky thelbi i përmbledhjes së mësipërme. Pa dashur të bie në kurthin e gjykimeve morale, kur përpiqem të lexoj shtypin ose të ndjek kanalet e folura të komunikimit përgjatë tridhjetë viteve të fundit, vërej se gjuha po përjeton një valë të çuditshme “pasurimi”, ose më saktë shpëlarjeje: fjalitë po humbasin kuptimin, bishta fjalësh po krijojnë një përzierje mekanike të rrëmujshme pa krye e pa këmbë, pa fillim e pa mbarim. Unë ketë e quaj përçudnim.

Shembujt janë të shumtë. Përse flasim për komshinj apo gjitonë kur mund të themi shumë mirë fqinjë apo kufitarë (gegërisht kufejarë)? Pse kolaboracion e jo bashkëpunim? Pse shkruajmë maestroja e jo mjeshtri, sekuestro e jo bllokim apo konfiskim, religjion e jo fe? Tragjikomedia vazhdon kur dëgjojmë event në vend të ngjarje, live në vend të drejtpërdrejt, show në vend të shfaqje, derisa, dalëngadalë, rrëmuja bëhet rregull.

Ka edhe më keq. Fjalë të mirëfillta shqipe si interpretim, prirje, prapaskenë, përzgjedhje aktorësh, pagues, drejtues, tregtim, markë, stemë, shenjë, mjete komunikimi, llafolog etj., zëvendësohen pa asnjë vlerë të shtuar dhe krejt pa lidhje domethënëse me fjalët angleze përkatëse: performancë, trend, bekstejxh, kasting, VIP, sponsor, manaxher, marketing, brand, logo, media, analist, moderator, opinionist, (të gjitha fonetikisht të shkruara) e rrjeshti bëhet i pafund. Nuk bëhet fjalë për një ndërhyrje të pafajshme kozmetike, sepse, në shumicën e rasteve, folësit, prezantuesit e radiotelevizioneve apo ata që shkruajnë ose redaktojnë artikuj nuk kanë as idenë më të vogël për kuptimin e termave që përdorin.

Marrim, fjala vjen, termin media. Edhe pse fjala latine i është nënshtruar evolucionit përgjatë mijëvjeçarëve, diçka ka mbetur e pandryshuar: është fjalë në shumës. Thuhet medium (njëjës) dhe media (shumës). Ne, jo vetëm që e përdorim vend e pa vend, por e deformojmë sipas qejfit: media, mediat, median, mediave, madje shpesh mediet apo medieve — shemtira gjuhësore pa asnjë bazë. Pa hyrë në kuptimin e plotë të fjalës medium (shumësi media), që në varësi të kontekstit nënkupton “mjet (komunikimi)”, “ndërmjetës”, “në mes”, apo edhe “ndërmjetës mes të gjallëve të kendejshëm dhe shpirtrave të përtejshëm”, nëse kjo fjalë na bën të ndihemi kaq “interesantë”, “modernë” e të “sofistikuar” (lexo: të ndërlikuar), le ta huazojmë, por jo ta denigrojmë.

Lind pyetja thelbësore: pse i përdorim këto fjalë të huaja kur kemi fjalët tona origjinale? A mos vallë bëhet fjalë për një fukarallëk kulturor dhe një inferioritet kolektiv, që shprehet përmes prekjes sipërfaqësore të gjithçkaje? A është kjo pikënisja e zbehjes së gjuhës shqipe? A është kjo përzierje e panevojshme, këto çorba fjalësh që shfaqen si tituj bombastikë nëpër portale e ekrane, pasurim i shqipes apo, përkundrazi, varfërim dhe delendisje e saj?

Si shembull përfundimtar marrim fjalët analist, moderator dhe opinionist. Analisti — një fjalë greke së cilës vështirë t’i shpëtosh — moderatori, i cili në thelb do të duhej të ishte administrator apo ndërmjetës bisede (por që zakonisht flet më shumë se të gjithë të ftuarit së bashku), dhe opinionisti, përkthyeshëm si mendimdhënës apo mendimshitës. Pas disa përpëlitjesh teorike, gjeta një emërues të përbashkët për këto “profesione”: llafolog (ndoshta llafazan?). Llafologjia — kur llafet shndërrohen në shkencë. Analistët, opinionistët dhe moderatorët janë, në thelb, llafologë: njerëz të përkushtuar ndaj llafeve, pra persona që flasin shumë pa thënë asgjë.

E të mos flasim për politikanë, qeveritarë, deputetë e ministra, të cilët nga njëra anë e përdhosin shqipen aq brutalisht, sa Naim Frashërit e Gjergj Fishtës u trazohen jo vetëm shpirtrat, por edhe eshtrat në varr; ndërsa, nga ana tjetër, kur mbajnë fjalime jashtë shtetit ose japin intervista në gjuhë të huaja, kryesisht në anglisht, ndonjëherë në frëngjisht e shpesh në italisht, e kalojnë kufirin e vetëreduktimit në qesharakë duke ia futur si kau pelës (kjo është një shprehje popullore kuptimplote mijëravjeçare pa asnjë lloj ngarkese seksuale!!). E kuptueshme kjo, sepse nuk flitet një gjuhë e huaj pa zotëruar fillimisht gjuhën amtare.

SOS!! Në atdheun tonë mediokriteti, padituria e sharlatanizmi po përkembin edhe të vetmen pasuri e pasqyrë që nuk është thyer akoma: Gjuhën Shqipe!

Pra, të nderuar llafologë, përdorues e shpërdorues të shqipes së shkruar dhe të folur: disa gjëra mund të blihen, por jo gjithçka. Blihen mjekët dhe ilaçet, por jo shëndeti; blihen pallatet e vilat, por jo familja, ngrohtësia sdhe ndjenja e të qenit në shtëpi; blihet seksi, por kurrë dashuria; blihet pushteti, por jo autoriteti; blihen produktet kozmetike, botoksi dhe ndërhyrjet plastiko-estetike, por jo bukuria; servilizmi ka çmim tregu, por jo besnikëria. Mund të kopjohen, imitohen e huazohen gjithfarë fjalësh për të kamufluar boshllëkun tonë “modernist”, por nëse si komb na ka mbetur diçka origjinale, identifikuese dhe e paçmueshme — diçka që as nuk shitet e as nuk blihet — ajo është Gjuha Shqipe, me gjithë larminë, dialektet e saj dhe, mbi të gjitha, me më pak “modernizëm”./dritare.net