Shqipëri–Itali, bashkëpunim i ri në kulturë dhe art, prezantohet projekti për Galerinë Kombëtare të Arteve
Dritare.net
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti në Tiranë ministrin e Kulturës së Italisë, Alessandro Giuli, në kuadër të prezantimit të projektit të përgatitur nga Fondazione MAXXI për Galerinë Kombëtare të Arteve.
Takimi shënon një hap konkret në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin me MAXXI-n, të nënshkruar në Romë gjatë takimit ndërmjet qeverive shqiptare dhe italiane. Ky bashkëpunim synon të forcojë më tej partneritetin mes institucioneve kulturore të dy vendeve dhe të hapë perspektiva të reja për zhvillimin e artit dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Gjatë bisedimeve, dy ministrat diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arkivave dhe digjitalizimit, organizimin e ekspozitave të përbashkëta, programet e shkëmbimit, bashkëprodhimet audiovizuale, si dhe forcimin e rrjeteve muzeore.
Në fokus të këtij bashkëpunimi është krijimi i më shumë mundësive për profesionistët e kulturës, shkëmbimi i përvojave dhe rritja e aksesit të publikut në artin dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe Italisë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në një miqësi të hershme, e cila vijon të forcohet përmes shkëmbimeve kulturore dhe nismave të përbashkëta. Prezantimi i projektit për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe bashkëpunimi me Fondazione MAXXI përbëjnë një tjetër hap drejt konkretizimit të kësaj marrëdhënieje, duke afruar më shumë institucionet, artistët dhe publikun e të dy vendeve.