Na ndiqni edhe në

Shqip

Ferrokromi që sfidoi vitin 1997: Historia e qëndresës së Uzinës së Burrelit

Ferrokromi që sfidoi vitin 1997: Historia e qëndresës së

Në një kohë kur vendi ndodhej në kolaps total shtetëror, një ndërmarrje industriale në zemër të Shqipërisë vendosi të mos e ndalojë punën. Uzina e Ferrokromit në Burrel, e ndërtuar me mund, ekspertizë vendase dhe një përkushtim të rrallë, u kthye në simbol të qëndrueshmërisë, disiplinës dhe rezistencës, edhe në ditët më të errëta të vitit 1997.

Në zemër të krizës, një grup punonjësish të përkushtuar, me në krye kryeinxhinierin Telat Haxhiu dhe specialistin elektrik Xhavit Metra, morën një vendim që do të ndryshonte fatin e Uzinës së Ferrokromit dhe të qytetit. Ata erdhën në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, me një rrëfim të jashtëzakonshëm!

Nga inaugurimi në vitin 1979...

Uzina e Ferrokromit në Burrel nisi zyrtarisht punën më 30 mars 1979, me inaugurimin e furrës së parë për prodhimin e ferrokromit. Vetëm pak muaj më pas, në qershor, nisi funksionimi edhe i furrës së dytë. Çdo furrë kishte një kapacitet prodhimi prej 950–1.000 ton në muaj dhe fuqi elektrike prej 9 megavatësh. Në ato vite, në uzinë punonin rreth 800 persona.

… deri te momenti kulmor i vitit 1987

Viti 1987 shënoi kulmin e zhvillimit të kësaj uzine. Shtimi i furrës së tretë – ndërtuar me pajisje dhe makineri të prodhuara në uzinat shqiptare – e çoi prodhimin vjetor në 40.000 ton ferrokrom, i cili eksportohej i gjithi. Numri i punonjësve arriti në 1.200 vetë, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme ishin gra. Gjatë kësaj periudhe, uzina nuk njohu vonesa në pagesa; pagat shpërndaheshin rregullisht më datat 7 dhe 22 të çdo muaji.

Kur Shqipëria u thye, Burreli qëndroi në këmbë

Më 13 mars 1997, vendi po përjetonte anarki totale. U hapën depot e armatimit në disa qytete, përfshirë edhe Burrelin. Qyteti u mbush me njerëz të armatosur. Ndonëse uzina funksiononte normalisht në mëngjesin e asaj dite, turni i dytë nuk u paraqit më pasdite dhe uzina u ndal për herë të parë.

Ishte pikërisht në këtë pikë që katër punonjës Xhavit Metra, Xhemal Kurti, Sulejman Lami dhe Telat Haxhi morën përgjegjësinë për të ringritur punën. Ata u nisën derë më derë në qytet, duke ftuar punëtorët të rikthehen. Dhe ja që në orën 18:00, turni rifilloi. Puna në uzinë rifilloi, përkundër kaosit nëpër qytet.

Prodhim në anarki: 2.400 ton ferrokrom në prill

Në mënyrë të pabesueshme, prodhimi jo vetëm që nuk u ndal, por në muajin prill 1997, u arritën nivele rekord për atë vit – 2.400 ton ferrokrom. Me organizim të përpiktë, brigada transporti, roje dhe eskortë sigurie, sasia u transportua nga Burreli në Durrës për eksport. Uzina e Burrelit ishte e vetmja njësi industriale në Shqipëri që vazhdonte të prodhonte në ato muaj.

Pa rroga, por me dinjitet

Pavarësisht prodhimit, punëtorët nuk merrnin rroga. Arsyeja ishte thjeshtë: shteti nuk funksiononte. Paratë që dilnin nga eksporti nuk ktheheshin më në pagesa. Ish-drejtori i uzinës, që mori këtë detyrë më 30 mars 1997, tregon se e rrezikoi jetën për të udhëtuar fshehurazi drejt Tiranës dhe për të siguruar pagat. Ishte një mision që kërkonte guxim ekstrem, në një vend pa ligj e pa rrugë të sigurta.

Trashëgimia qëndron

Kjo histori nuk është vetëm për të kaluarën, por një dëshmi se çfarë mund të arrijë një komunitet i bashkuar dhe i përkushtuar. Në fund, ferrokromi nuk ishte vetëm një produkt për eksport, por simboli i qëndresës, i përkatësisë dhe i krenarisë për një punë të ndershme.

Ky artikull është përgatitur mbi bazën e një interviste të gjatë me ish-punonjës të Uzinës së Ferrokromit në Burrel, të realizuar në formë dëshmie të gjallë për rolin e kësaj industrie gjatë krizës së vitit 1997./L.F-dritare.net