Na ndiqni edhe në

Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë

Shkolla Bujqësore LFS Warth, modeli austriak që përgatit fermerët e së ardhmes

AUSTRI – Në zemër të Alpeve Austriake, ndodhet Landwirtschaftliche Fachschule Warth (LFS Warth), një nga shkollat profesionale më të njohura të bujqësisë në Austri. Kjo ishte një nga ndalesat kryesore të autores dhe gazetares Rudina Xhunga dhe stafit të Dritare TV, në kuadër të ciklit "Gjëja e Gjallë të Mban Gjallë", për të kuptuar se si Austria ka ndërtuar një nga modelet më të suksesshme të zhvillimit rural në Europë.

Në LFS Warth, nxënësit nuk përgatiten thjesht për të marrë një diplomë. Ata edukohen që në moshën 15-vjeçare për të drejtuar një fermë moderne, për të përpunuar produktet e tyre dhe për t'i kthyer ato në një biznes fitimprurës. Shumica e tyre vijnë nga familje fermerësh, ndërsa të tjerë zgjedhin këtë profesion nga pasioni. Programi trevjeçar kombinon teorinë me praktikën, duke i bërë të rinjtë të gatshëm të marrin në dorë fermat familjare ose të krijojnë sipërmarrjet e tyre.

Një nga figurat kyçe të kësaj shkolle është Hans Riegler, mësues i lëndës së zooteknisë, i cili thekson se suksesi nuk matet vetëm me njohuritë teorike, por me rezultatet konkrete që arrijnë ish-nxënësit. Sipas tij, një prej tyre ka arritur të prodhojë deri në 12 mijë litra qumësht në vit për çdo lopë, një rendiment që konsiderohet ndër më të lartët në Europë.

Në LFS Warth, mësuesit nuk janë vetëm pedagogë, por profesionistë me përvojë të gjatë në terren. Ata u mësojnë nxënësve çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit, nga kujdesi për kafshët dhe kultivimi i tokës deri te përpunimi dhe tregtimi i produkteve.

Shkolla disponon punishte dhe reparte moderne ku vetë nxënësit prodhojnë lëngje frutash, musht, marmelata, bukë, makarona të freskëta, djathë, kos dhe produkte të mishit. Ata mësojnë të ndajnë dhe përpunojnë mishin në sallamra dhe salsiçe, ndërsa qumështin e fermës së shkollës e kthejnë në produkte të gatshme për treg.

Pjesë e rëndësishme e formimit është edhe mikpritja dhe menaxhimi i agroturizmit. Në një aktivitet të organizuar nga shkolla, rreth 2 mijë të ftuar u shërbyen ekskluzivisht nga nxënësit, të cilët menaxhuan gatimin, shërbimin dhe organizimin e gjithë eventit, duke treguar aftësitë që kanë fituar gjatë studimeve.

Sipas Hans Riegler, misioni i shkollës nuk është të konkurrojë fermerët lokalë, por t'u mësojë të rinjve se si ta shumëfishojnë vlerën e prodhimit të tyre. Një litër qumësht nuk duhet të shitet vetëm si lëndë e parë, por të përpunohet në djathë, kos apo produkte të tjera që rrisin ndjeshëm fitimin. E njëjta filozofi zbatohet edhe për mishin, frutat dhe mjaltin.

Modeli i LFS Warth konsiderohet sot një nga shembujt më të mirë të arsimit profesional në Austri, ku shkolla nuk formon vetëm fermerë, por sipërmarrës të aftë, të cilët kombinojnë traditën familjare me teknologjinë moderne dhe menaxhimin e biznesit. Një model që tregon se investimi më i rëndësishëm në bujqësi nuk është vetëm te makineritë apo subvencionet, por te edukimi i brezit të ri.