
Kush nuk duhet të shkojë në plazh gjatë vapës? Çfarë thotë mjekja kardiologe!
Dritare.net
Në ditët e nxehta të gushtit, shumë qytetarë i drejtohen bregdetit për të gjetur freski dhe relaks. Por për disa kategori personash, ekspozimi në vapë të madhe nuk është vetëm i papërshtatshëm, por mund të jetë edhe i rrezikshëm për shëndetin. Në rubrikën “Dritarja e Doktorit”, kardiologia dr. Ëngjëllushe Hasani jep një paralajmërim të rëndësishëm për qytetarët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
“Pacientët me sëmundje kardiovaskulare, ata që kanë pësuar infarkt apo kanë kaluar ndërhyrje në zemër, nuk duhet të ekspozohen në temperatura të larta gjatë mesditës. Vapa mund të përkeqësojë gjendjen e tyre dhe të rrisë rrezikun për episode të tjera kardiake,” thotë dr. Hasani.
Sipas mjekes, zemra gjatë temperaturave ekstreme punon më shumë për të ruajtur balancën e organizmit, duke u bërë kështu më e rrezikuar për ata që tashmë kanë probleme me qarkullimin e gjakut apo tensionin.
Këta janë personat që duhet të shmangin plazhin gjatë orëve të vapës ekstreme:
Pacientët me hipertension të pakontrolluar
Të moshuarit me insuficiencë kardiake
Ata që kanë kaluar infarkt miokardi
Personat me aritmi të diagnostikuara
Pacientët që marrin medikamente diuretike
Dr. Hasani këshillon që nëse këta persona zgjedhin të shkojnë në bregdet, ta bëjnë vetëm në orët e para të mëngjesit ose pas orës 17:00, kur rrezatimi është më i ulët dhe ajri më i freskët.
“Gjithashtu, hidratimi është thelbësor. Duhet të konsumojnë ujë të mjaftueshëm, të shmangin pijet me kafeinë dhe alkool, dhe të mbajnë gjithmonë me vete medikamentet që marrin rregullisht,” shton ajo.
Ky është një apel që vlen jo vetëm për pacientët kardiakë, por për të gjithë ata që ndihen të lodhur nga vapa dhe kanë simptoma si marramendje, frymëmarrje të shpeshtë, ose dhimbje kraharori./K.C/dritare.net

















