Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SHBA ashpërson politikat: Anulohen vizat e të huajve që kryejnë krime

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një politikë më të ashpër ndaj shtetasve të huaj që kryejnë vepra penale, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Mesazhi është shpërndarë edhe nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka përcjellë qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në mesazhin e publikuar nga ambasada.

Sipas njoftimit, masa synon të forcojë kontrollin ndaj personave të huaj që ndodhen në SHBA ose që kërkojnë të hyjnë në territorin amerikan dhe që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike apo kombëtare.

Njoftimi vjen në kuadër të politikave të administratës së Presidentit Donald Trump për forcimin e zbatimit të ligjeve të emigracionit dhe përdorimin e mekanizmave të vizave për të kufizuar hyrjen ose qëndrimin e personave që konsiderohen kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë të qartë përmes këtij mesazhi se politika do të zbatohet ndaj shtetasve të huaj që përfshihen në veprimtari kriminale, nxisin dhunë ose cenojnë sigurinë kombëtare amerikane.