Reformë e re për veterinarinë, rregulla të reja për barnat
Dritare.net
Qeveria shqiptare ka hartuar projektligjin e ri “Për produktet mjekësore veterinare”, me synim përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe mbrojtjen e shëndetit publik sipas qasjes “Një Shëndet”.
Projektligji parashikon kufizime të forta për përdorimin e antibiotikëve, ndërsa recetat për barnat antimikrobike do të jenë të vlefshme për një maksimum prej 5 ditësh. Gjithashtu, vendoset “zero tolerancë” ndaj përdorimit të paligjshëm të substancave hormonale dhe beta-agonistëve për rritjen artificiale të peshës së kafshëve.
Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon kontroll më të rreptë të mbetjeve të barnave në ushqimet me origjinë shtazore, si dhe krijimin e një sistemi kombëtar të farmakovigjilencës të lidhur me bazat evropiane të të dhënave. Autorizimet e tregtimit të barnave veterinare pritet të kenë vlefshmëri të pakufizuar, duke reduktuar barrën administrative për bizneset./L.F-dritare.net