Rama pret delegacionin e Kongresit amerikan, në takim edhe ambasadori i ri Eric Wendt
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në kopshtin e Kryeministrisë një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (US CODEL). Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar: "Sot në kopshtin e Kryeministrisë me përfaqësinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara (US CODEL)", shoqëruar me flamujt shqiptar e amerikan.

Në fotot e publikuara, Rama shfaqet në bisedë me anëtarët e delegacionit.

Wendt, gjenerallejtënant në pension me mbi 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, kryesisht në Forcat Speciale "Green Beret", ka nisur së fundmi detyrën në Tiranë. Ai është ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas largimit të Yuri Kim në vitin 2023, pas një periudhe mbi trevjeçare kur ambasada drejtohej nga të ngarkuar me punë.
Detaje mbi temat e diskutuara gjatë takimit nuk janë bërë publike./K.C/dritare.net