Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama për Jared Kushner: Nuk ka asnjë ishull të shitur, Shqipëria do të jetë aksionere në investim

Rama për Jared Kushner: Nuk ka asnjë ishull të shitur,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me interesin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për një projekt investimi në Shqipëri, duke mohuar kategorikisht pretendimet se një ishull shqiptar i është shitur apo dhënë me koncesion atij.

Në një intervistë gjatë vizitës së tij në Irlandë, Rama deklaroi se negociatat me grupin e Kushner kanë vijuar prej rreth tre vitesh, por deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare.

“Nuk ka ishull të shitur. Nuk ka kërkesë për blerjen e ishullit. Ishulli është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se Shqipëria po negocion për të qenë aksionere në këtë investim, duke shtuar se bëhet fjalë për një projekt që po shqyrtohet ende nga palët.

Rama kundërshtoi gjithashtu raportimet në mediat ndërkombëtare dhe lokale, të cilat, sipas tij, kanë krijuar perceptimin se ishulli është shitur ose i është dhënë në përdorim investitorit amerikan.

“Republika e Shqipërisë po kërkon të jetë aksionare në këtë investim. Kjo është e vërteta”, deklaroi Rama.

Kryeministri nënvizoi se Jared Kushner është një prej investitorëve që ka shprehur interes për Shqipërinë, por mohoi të ketë marrëdhënie pune personale me të, duke theksuar se diskutimet zhvillohen me grupin e tij të investimit./L.F-dritare.net