Na ndiqni edhe në

Shqip

Flamur Noka: Protesta u ble dhe u shit, ashtu si protesta e studentëve në 2018

Flamur Noka: Protesta u ble dhe u shit, ashtu si protesta e studentëve

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Flamur Noka, pretendon se protesta e nisur nga “flamingot” u “shit” nga disa prej organizatorëve dhe u “ble” nga qeveria. Në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Noka tha se që ditët e para kishte paralajmëruar protestuesit të ruheshin nga njerëz që, sipas tij, ishin futur për ta përçarë protestën. Ai e krahasoi këtë me protestën e studentëve të vitit 2018, e cila sipas tij u shua nga njerëz pa lidhje me studentët. Noka pretendon se 60% e pjesëmarrësve në protesta ishin demokratë. Sipas tij, PD i mbështeti protestat, por nuk u përpoq t’i rrëmbente.

Ja çfarë tha Noka:

“Ne jemi absolutisht pro protestave dhe në mbështetje të tyre, por kjo nuk na ka ndaluar të drejtojmë gishtin ndaj atyre që e shitën protestën e të ashtuquajturve flamingo. Kemi bërë thirrje që ditët e para të protestës. Po të shikoni rrjetet e mia sociale, kam bërë thirrje: dilni, protestoni, por shmangni një, dy, tre, katër, pesë, sepse janë agjentë që janë futur për t’ju përçarë dhe për t’ua shkatërruar protestën. Jua kemi thënë që ditën e parë dhe koha na dha të drejtë. Ajo protestë gjigante, që duhej të përfundonte me rrëzimin e regjimit, u asgjësua sepse u shit nga këta dhe u ble nga qeveria.

E njëjta gjë ndodhi edhe me protestën e studentëve. Lindi një protestë e mrekullueshme, një zjarr i mrekullueshëm dhe në fund jo studentët, por njerëz që s’kanë lidhje me studentët, u turrën për ta kapur. Kush e shuajti protestën e studentëve në 2018? Arlind Qori. Kush i dha Edi Ramës në dorë një argument fejk, se Shqipëria s’ka antifa, për të thënë që janë antifa komunistët e Arlind Qorit? Edi Rama i fut gjithmonë. I futi për të shuar protestën e studentëve në 2018 dhe i futi tani për të shuar këtë protestë.

Ç’kërkon atje një kandidat i Tom Doshit në Elbasan? Ç’lidhje ke ti me studentët, që shkon e merr primatin e asaj proteste? Ç’kërkojnë aty nja dy që vetëm bërtasin kot?

Ai që e do protestën bën atë që bëri Partia Demokratike. Kemi çuar njerëzit dhe po ju garantoj që 60% e pjesëmarrjes në protesta, qoftë te flamingot, qoftë te studentët, janë demokratët. Por ne s’e kemi vjedhur protestën. Kemi thënë që protestat s’janë tonat, ne i mbështesim. Kemi çuar njerëzit tanë dhe strukturat tona për t’i mbështetur, jo për t’i vjedhur. Asnjë nga njerëzit tanë nuk ka kapur mikrofonin.”, tha Noka./K.C/dritare.net