Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama paralajmëron ndryshime në inspektime: Asnjë kontroll pa paralajmërim

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një qasje të re në procesin e inspektimit të bizneseve, me më shumë transparencë, korrektësi dhe mbështetje ndaj sipërmarrjes.

Gjatë një takimi me inspektorë, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, Rama theksoi se kontrollet rutinë nuk duhet të kryhen më pa paralajmërim.

Sipas kryeministrit, qëllimi i inspektimit nuk duhet të jetë kapja e biznesit në shkelje, por ndihma për përmirësimin dhe respektimin e ligjit.

Rama deklaroi gjithashtu se gjoba duhet të jetë masa e fundit, ndërsa çdo inspektim pa paralajmërim duhet të denoncohet te Inspektori i Përgjithshëm.

Një tjetër ndryshim i paralajmëruar është pajisja e inspektorëve me kamera inteligjente trupore dhe uniforma, në mënyrë që veprimtaria e tyre të jetë e monitoruar dhe transparente.

“Shteti që hyn në derën e njerëzve, duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti”, u shpreh Rama./L.F-dritare.net