Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama mbledh sot socialistët e Tiranës! Veliaj letër Asamblesë!

Rama mbledh sot socialistët e Tiranës! Veliaj letër

Erion Veliaj ka dërguar një tjetër mesazh nga qelia në burgun e Fierit, ndërsa socialistët e Tiranës sot do të takohen me kryetarin e tyre dhe njëkohësisht kryeministrin, Edi Rama. Mbledhja e PS Tiranë do të mbahet në orën 11:00 te Akademia e Arteve. Pritet që zhvillimi i saj të jetë me dyer të mbyllura, por ende s’ka një njoftim zyrtar. Në fokus do të jenë zgjedhjet vendore, ndërsa takimi pason mbledhjen e djeshme me ministrat dhe drejtuesit politikë.

Mesazhin, Veliaj e nënshkruan me “socialisti juaj me duar të lidhura”.

“Mesazh për Asamblenë e Tiranës

Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!

Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.

Po a jemi ende ajo parti?

Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?

Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.

Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!

Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.

Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.

Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.

Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,

Miku dhe shoku juaj,

Socialisti me duar të lidhura

Erion Veliaj”, shkruan ai.