Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

QKLL shpall fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare Autorët e Rinj 2026!

94534958-f8d6-4054-ba70-2770887e8bdf (1).jpeg

“Ky fond, nuk është thjesht një kontribut për tre libra të cilëve u mbështetet botimi. Ky fond është një kontribut për një brez shkrimtarësh të rinj nga të cilët pritet që nesër të shkruajnë historinë e letërsisë shqipe. Ndryshe e thënë, ky fond është një kontribut që shenjon të ardhmen.”
Kështu e komentoi Arta Marku, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Fondin e Krijimtarisë Letrare “Autorët e rinj”, që e ka shoqëruar QKLL përgjatë gjithë rrugëtimit të saj dhe që pati dje, në mjediset e Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ceremoninë e shpalljes së fituesve, 2026.

Me vendimin e jurisë të përbërë nga Durim Taçi, Dhurata Shehri dhe Aida Baro, nga 5 gjysmëfinalistët e bërë publikë më parë, rezultuan fitues:
- Fatma Memalli, për dorëshkrimin “Rikrijimi”, nga botimet TOENA, me motivacionin:
“Për mënyrën e thellë dhe të përmbajtur me të cilën trajton traumën, pa e rënduar lexuesin; për ngrohtësinë dhe humanizmin e rrëfimit mbi humbjen e njerëzve të dashur dhe tëhuajëzimin që ajo sjell. Pa rënë në sentimentalizëm, vepra e shndërron dhimbjen në një përvojë universale, ku kujtesa, dashuria dhe nevoja për të rindërtuar lidhjen me jetën marrin një forcë të veçantë artistike, duke dëshmuar cilësi të larta letrare dhe një fuqi të rrallë emocionale”.

-Florenc Zerellari, për dorëshkrimin “Duke pritur Margonë”, nga botimet KANDRRA, me motivacionin:
“Për lëvrimin e një proze të shkurtër që përthith me origjinalitet përvojat më të mira të letërsisë bashkëkohore, ku e tashmja intensifikohet dhe elementet strukturore zhvillohen natyrshëm drejt simbolit. Duke shkrirë në mënyrë organike surrealen, absurdin dhe realitetin, autori ndërton një univers rrëfimtar ku e zakonshmja zhvendoset pandjeshëm drejt së çuditshmes, ndërsa një ndjesi e vazhdueshme tjetërsimi dhe ankthi përshkon rrëfimin. Për mjeshtërinë me të cilën ndërton atmosferën dhe e mban suspansën të gjallë deri në fund, duke i dhënë secilit tregim një forcë të veçantë artistike”.

-Enis Ismaili, për dorëshkrimin “Rrëmujë”, nga botimet DUDAJ, me motivacionin:
“Për mënyrën origjinale me të cilën, përmes humorit të zi, trajton pasigurinë, limontinë, emigrimin, përhumbjen dhe mungesën e perspektivës që shënjojnë jetën e të rinjve sot. Duke ndërthurur humorin me një melankoli të përmbajtur, romani rrëfen historinë e një miqësie që përballet me zhgënjimet e përditshmërisë dhe me ëndrrat që zbehen përballë realitetit. Me një zë autentik dhe një ndjeshmëri bashkëkohore, ai sjell një portret të gjallë të rinisë shqiptare, duke dëshmuar njëherazi freski rrëfimtare dhe pjekuri artistike”.

Sipas znj. Dhurata Shehri, njërës prej anëtareve të jurisë, prurjet ishin dinjitoze, me një frymë bashkëkohore. Duke iu referuar 14 autorëve në garë ajo spikati dominimin e prozës ndaj poezisë në aspektin cilësor. Njëherësh, si studiuese, ajo vlerësoi si tipare të dorëshkrimeve topikën dhe interioritetin; posttraumën individuale dhe sociale; shkrimin autoreferencial dhe fragmentet e reales në fiksion. Duke dashur të bëjë një krahasim me prurjet e një viti më parë, kur gjithashtu kishte qenë anëtare e jurisë së të njëjtit fond, Shehri tha se kësaj here binte në sy humori i zi ndaj errësirës tërësore dhe depresionit ndjeshëm të pranishëm në veprat e autorëve që garuan më 2025.

Të tre anëtarët e jurisë ndanë me të pranishmit në ceremoni përvojat e angazhimit të tyre me procesin përzgjedhës të fituesve të Fondit të Krijimtarisë Letrare “Autorët e rinj” 2026 dhe konkluzionet për dorëshkrimet.

Si një simbolikë të lidhjes mes brezave të letërsisë, shkrimtari Ylljet Aliçka i dorëzoi certifikatën njërit prej fituesve.
Si një simbolikë të komunikimit mes vetë brezit të ri të letrave shqipe, certifikatën e radhës e dorëzoi Ena Bulku, ajo vetë fituese e të njëjtit fond në vitin 2025.

Tre fituesit 2026, por edhe shkrimtarët e rinj shqiptarë në përgjithësi, prania e të cilëve po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme, i përshëndeti, në ceremoninë e sotme, poetja Mimoza Ahmeti duke theksuar jo vetëm njohjen, komunikmimin me ta, por edhe vlerësimin që nuk ngurroi t'ua dëshmojë.

Fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare AUTORËT E RINJ 2026, u shpallën një javë pas fituesve të Fondit të Krijimtarise Letrare LIBRI PËR FËMIJË 2026, Adelina Mamaqi, Teuta Toska dhe Xhahid Bushati. Javën në vijim pritet që QKLL të shpallë fituesit e Fondit të Përkthimit FJALA SHQIPE NË GJUHË TË HUAJ./dritare.net