Protestat në Shqipëri, paralajmërimi i Ambasadës Amerikane
Dritare.net

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për protestat që po zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë, duke paralajmëruar për përplasje të dhunshme, dëmtime të pronës publike dhe private, si dhe vështirësi në qarkullim. Ambasada u bën thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku zhvillohen tubimet, të ndjekin informacionet më të fundit dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve. Paralajmërohen gjithashtu kufizime të mundshme në transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkollat në të gjithë vendin.
Njoftimi i plotë i Ambasadës
"Demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe pranë ndërtesave qeveritare.
Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë. Protestuesit kanë përdorur mjete zjarrvënëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar prona publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim.
Demonstratat mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë së policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.
Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit.
Pasojat e pritshme
Priten mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve publike në të gjithë Shqipërinë, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkollat.
Masat që duhen marrë
Rrisni kujdesin për sigurinë tuaj duke shmangur demonstratat dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit. Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një mënyrë për t'u larguar nga zona në rast rreziku dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes" , thuhet në njoftim./K.C/dritare.net