Na ndiqni edhe në

Editorial

Kush po i sulmon bankat? Dhe a dini çfarë rrezikojmë!

Kush po i sulmon bankat? Dhe a dini çfarë rrezikojmë!

Editorial nga DritareTV

Kush po i sulmon bankat në Tiranë? Dhe, mbi të gjitha, a e dinë ata që po i sulmojnë se çfarë mund të shkaktojnë? Sepse bankat nuk janë thjesht disa godina me xhama që mund të thyhen, të digjen e të zëvendësohen nesër. Bankat janë një pjesë jetike e funksionimit të vendit.

Nëse sulmet vazhdojnë, bankat do të detyrohen të mbyllin degët e rrezikuara. Bankomatët e dëmtuar nuk do të funksionojnë. Njerëzit mund të mbeten pa mundësi për të tërhequr para në zonat e prekura. Pensionistët do të kenë vështirësi të marrin pensionet, punonjësit të përdorin pagat, bizneset të kryejnë pagesat.

Nuk po themi se sistemi bankar do të shembet nga disa xhama të thyer. Nuk funksionon kështu. Por po themi se kur sulmon bankat, sulmon besimin. Dhe një ekonomi mund të përballojë shumë dëme materiale, por e ka shumë më të vështirë të përballojë panikun.

Atëherë, kush i ka zgjedhur bankat si objektiva?

Bankat janë pjesë e ekonomisë së tregut. Janë të licencuara dhe të mbikëqyrura nga shteti, por nuk janë pronë e Edi Ramës. Nuk janë as godina të qeverisë, as zyra të Partisë Socialiste.

Përse, atëherë, goditen ato?

Dhe këtu vjen paradoksi më i madh. Nëse ata që i sulmojnë janë të rinj që protestojnë kundër qeverisë, për çfarë po protestojnë në të vërtetë? Për një Shqipëri më të mirë, më demokratike, më europiane? Apo për një Shqipëri ku kapitali duhet ndëshkuar, prona duhet shkatërruar dhe institucionet duhet të kenë frikë të hapin dyert?

Nuk mund të kërkosh një Shqipëri europiane duke sulmuar një nga shtyllat e ekonomisë europiane: sistemin bankar.

Por ka edhe diçka tjetër që te shqetëson.

A janë vërtet studentët ata që po i sulmojnë bankat? Apo dikush po përdor zemërimin e studentëve për të çuar protestën në një drejtim tjetër?

Kush janë njerëzit që zgjedhin objektivat? Kush i nxit? Kush përfiton nga një qytet që digjet, nga policia që humbet kontrollin, nga bankat që mbyllen dhe nga qytetarët që fillojnë të kenë frikë për paratë e tyre?

Nëse protesta është kundër Ramës, sulmi ndaj bankave godet qytetarin që pret pensionin. Familjen që jeton me pagë. Sipërmarrësin që duhet të paguajë punonjësit. Godet ekonominë që do të na duhet të gjithëve, gjithmone.

Shqipëria ka provuar një herë, në vitin 1997, se çfarë ndodh kur shembet besimi financiar dhe më pas dobësohet autoriteti i shtetit. Nuk po perseritet 97, por kemi detyrimin të mos harrojmë sa shpejt mund të përhapet frika në një shoqëri që ka jetuar një traumë të tillë.

Dhe një pyetje oer ata qe thone; kjo nuk eshte dhune! Cfare do të bëni nëse nesër banka juaj mbyll degën, bankomati nuk punon dhe biznesi juaj nuk hapet sepse ka frikë nga turma?

Do të vazhdoni të thoni: Mirë ua bënë?

Nuk ka revolucion demokratik që ndërtohet duke shkatërruar jetën e përditshme të qytetarëve.

Kush kërkon ndryshimin e qeverisë ka të drejtë të protestojë. Kush kërkon përgjegjësi nga pushteti ka të drejtë të ngrejë zërin. Por askush nuk ka të drejtë të marrë peng sigurinë ekonomike të një vendi.

Prandaj sot pyetja nuk është vetëm kush po i thyen xhamat e bankave.

Pyetja është kush po e ushqen këtë dhunë, kush nuk po e ndalon dhe kush mendon se mund të fitojë politikisht nga një Shqipëri që humbet kontrollin.

Sepse, në fund, faturën nuk do ta paguajë Edi Rama.

Faturën do ta paguajmë ne. Të gjithë. Edhe ata që thyejnë bankën dhe ata që sot brohorasin kur thyhet një bankë./dritare.net