Protesta para Kuvendit, Ambasada e SHBA-së paralajmëron qytetarët amerikanë
Dritare.net

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën që po zhvillohet sot para godinës së Kuvendit të Shqipërisë.
Në njoftim thuhet se protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim dhe se, pavarësisht se tubimet mund të nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.
Ambasada paralajmëron gjithashtu për prani të shtuar të policisë, mbyllje rrugësh, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut para dhe gjatë protestave.
Qytetarëve amerikanë u bëhet thirrje të shmangin demonstratat dhe zonat ku zhvillohen tubimet. Ata këshillohen gjithashtu të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të ndjekin mediat lokale për përditësime dhe të kenë një plan emergjence në rast nevoje.
Në njoftim, personeli i qeverisë amerikane këshillohet të shmangë zonat e protestave dhe qytetarëve u kërkohet të mbajnë një profil të ulët dhe të shmangin tërheqjen e vëmendjes.
"Një protestë është planifikuar të zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në Rrugën George Ë. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërmjet Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat.
Forconi masat për sigurinë tuaj duke ndjekur këto këshilla:
Veprimet që duhen ndërmarrë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin demonstratat.
Qëndroni të vetëdijshëm për mjedisin që ju rrethon.
Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve, kur ndodheni në vende publike.
Ndiqni mediat lokale për përditësime.
Gjithmonë keni një plan emergjence ose një strategji për t'u larguar në rast nevoje.
Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes”, thuhet në njoftimin e ambasadës./L.F-dritare.net