Për herë të parë në histori, një Papë voton në zgjedhjet amerikane!
Dritare.net

Papa Leoni XIV ka hyrë në histori si Papa i parë që merr pjesë në zgjedhjet amerikane. Vatikani konfirmoi këtë të premte, më 30 tetor, se Ati i Shenjtë ka votuar përmes postës në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të mbahen më 3 nëntor. Papa, i lindur në Çikago me emrin Robert Francis Prevost, është Papa i parë amerikan në historinë e Kishës Katolike. Ai ka ruajtur shtetësinë amerikane dhe ka ushtruar të drejtën e votës edhe përpara zgjedhjes së tij në krye të Vatikanit, në maj të vitit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar të Vatikanit, Leoni XIV ka dorëzuar fletën e votimit përmes postës në Çikago, duke vazhduar një praktikë të hershme të pjesëmarrjes në proceset demokratike.
“Atit të Shenjtë i përket bindja se pjesëmarrja e qytetarëve në proceset demokratike është një e drejtë dhe një detyrë”, thuhet në deklaratën e Vatikanit.
Papa Leoni XIV, 71 vjeç, ka jetuar për më shumë se dy dekada në Peru, ku ka shërbyer si misionar dhe peshkop. Ai zotëron gjithashtu shtetësinë peruane dhe, sipas Selisë së Shenjtë, ka votuar edhe në zgjedhjet e atij vendi kur ka pasur të drejtë. Sipas të dhënave zgjedhore në Illinois, Papa ka marrë pjesë më parë si në zgjedhje paraprake demokrate, ashtu edhe republikane. Megjithatë, këto të dhëna nuk tregojnë se cilët kandidatë ka mbështetur.
Vatikani nuk ka bërë të ditur as se për kë ka votuar Papa në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Votimi i tij vjen në një periudhë tensionesh politike në SHBA, ku qytetarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kongres, ndërsa në Illinois do të votohet edhe për guvernatorin dhe një vend në Senat./dritare.net