Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Një tjetër 1 Maj i çuar dëm

Një tjetër 1 Maj i çuar dëm

Nga Gëzim Hoxha

Asnjë punëtor i thjesht nuk protestoi këtë 1 Maj. Është për të ardhur keq, po në një vend ku të thonë se paradoksi është ulur këmbëkryq qysh prej s’mbahet mend kur, ku njerëzit ankohen e ankohen për çdo gjë e gjithçka, ku ngërçi ka kapur çdo qelizë të tij të mos gjesh kohë të protestosh edhe për 1 Maj?, kjo është për të vënë kujën.

Ndonjë mund të thotë se masat duhen organizuar. Këtu mund të thuhet se ai ose ajo që e thotë këtë, edhe ka edhe nuk ka të drejtë. Po pse kush e organizoi marshimin e ZHARZANJOTËVE? Kush? Këta banorë të mjerë bën atë që nuk e ka bërë deri më sot asnjë sindikatë, asnjë segment i SHOQËRISË CIVILE. Ushtruan presionin e duhur mbi qeverinë dhe e fituan të drejtën e tyre.

Shumë mirë mund të thuhet se 1 Maji u përket punëtorëve të cilët supozohej të organizoheshin dhe të ngriheshin të paktën dje nga sindikatat e ndryshme. E drejtë, por cila sindikatë? Pothuajse të gjitha sindikatat, fshihen skutave të selive të ofruara nga pushteti, marrin kuotat nga punonjës të sektorëve të ndryshëm të cilët supozohet që i përfaqësojnë dhe kaq. Kaq se në një moment kur ti pranon pajisjen me zyra nga shteti edhe për shkak të një ligji, kjo ta mbyll gojën një herë e përgjithmonë.

Para ca ditësh Ndriçim Xhepa shkruante se ne jemi si delet dhe e tha aq bukur sa nuk e ke idenë. Po pse kaq të butë qenkan shqiptarët? Sikur nuk paskemi hiç për çfarë të protesojmë? Dhe sidomos punëtorët. Sa për ta kujtuar, më duhet të them se para një muaji FIKS FARE transmetoj me zë dhe figurë se si keqtrajtoshin, apo më mirë se si shfrytëzoheshin deri në palcë gra dhe vajza të reja nga fasonët, shpëtimi i eksporteve shqptare dhe përmirësimit të bilancit tregtar të Shqipërisë. Jo pa të drejtë drejtuesit e emisionit e quajtën fasonerinë skllavëri moderne.

Ju pyes ju SINDIKATA TË DASHURA a nuk është kjo një arsye e mirë për të protestuar? A nuk mund të prtestohej dje dhe të kërkohej që këto gra e vajza të mos punojnë më nga 10 deri në 12 orë e të paguhen për 500 lekë (a diç më shumë) në ditë? Më thoni a nuk është kjo një arsye e mirë për të protestuar?

Tjetër arsye e mirë për të protestuar do të ishte paga minimale. Në një kohë që çmimet e detyrimet vetëm rriten e rriten, vallë a nuk mund të kërkohej dje rritja e saj. Një shoqja ime është shtatzanë. Në vend që ajo të lumturohej asaj mrekullie që po ndodh në trupin e saj, rri e vret mendjen si e si të gjej 40000 lekë me qëllim që të paguajë sigurimet e të përfitojë lejen e lindjes. Në një kohë që ajo punon si shitëse në një dyqan veshjesh luksoze në qendër të qytetit. Punon e shkreta 12 orrë në ditë dhe as për 1 Maj nuk e lanë të pushonte, për të mos përmendur se paguhet me 500 lekë dita dhe nuk i paguhen as sigurimet shoqërore. Epo sa ka si ajo? A nuk është dhe kjo një arsye e mirë të protestosh? Më thoni përse të protestosh, nëse nuk proteston kundër nëpërkëmbjes së të drejtave të tua?

Ndonjë mund të thotë me të drejtë se në një situatë si kjo e tanishmja as nuk ia vlen të protestosh. Dhe ka mëse të drejtë. Në një kohë kur politika ka “HALLET” e saj që i tekalojnë shqqetsimet e masave të gjera, atherë kush ta var torbën?

Ja pra pse nuk ecën ky vend. Në një vend ku njerëzve iu është grabitur edhe e drejta e protestës nuk mund të presësh asgjë të mirë. Kur do çohet i gjithë ky popull në këmbë e të kërkojë llogari, të kërkojë të drejtën e tij për një jetë më të mirë. Kur do rreshtim duke mbushur sheshe, rrugë e rrugica veç me urdhër nga lart? Kur do rreshtim së qeni dhe së reaguari si bagëti apo si dele?/dritare.net