
Udhëtari britanik: Ja historia e Sari Salltikut në Krujë!
Dritare.net
Gazetari dhe fotoreporteri Britanik Robert Hackman nis ciklin e tij të emisioneve për Shqipërinë turistike, në Dritare TV. Hackman e nis nga Kruja tregimin e tij të parë, pasi një vizite të shkurtër në Tiranë, ku thotë se gjithmonë e gjen ndryshe kryeqytetin.
Ndërsa legjenda e Skënderbeut dhe kështjellës së tij i jep Krujës shumë famë, një tjetër histori i shtohet historisë së pasur të qytetit. Ajo e Sari Salltik, një sufi islamik i urdhrit mistik Bektashi.
Për të eksploruar më tej historinë e tij legjendare, duhet të ndjekësh rrugën që të çon në malin e Krujës. Për ata që ecin në këmbë, mund të ndiqni shtegun piktoresk dhe për një orë jeni në majë të malit.
Një diplomat francez, Alexander de Grande, në fund të shekullit të 19-të, dokumentoi historinë dhe folklorin shqiptar. Në librin e tij të vitit të vitit 1901 “Memories of High Albania”, ai shkroi për legjendën e Sari Salltikut.
Dikur në Krujë jetonte një princ i krishterë dhe në majë të këtij mali jetonte një dragua i egër që gllabëronte njerëzit. Por njerëzit bënë një marrëveshje me dragoin. Nëse do t’i çonin një person në ditë, do t'i mjaftonte dragoit që të mos hante njerëz vazhdimisht. Natën jetonte në një shpellë, ditën jetonte në rrënojat e një kishe të vjetër. Dhe kjo funksionoi mirë për ca kohë. Derisa një ditë u vendos që të nesërmen do të flijohej vajza e princit. Dhe njerëzit e qytetit nuk e besonin këtë që mund t'i ndodhte princeshës së tyre.
Në të njëjtën kohë, një plak i nderuar kishte hyrë në qytet me një shpatë druri dhe me një degë selvie. Ai u ul në një kafene dhe e piu kafenë shumë qetë dhe vetëm.
-Në mëngjes u zgjua, u ngjit në mal dhe kur pa princeshën që po qante i tha: “Çfarë ke? Pse po qan?” Ajo i tregoi historinë se do të flijohej. Ai tha: “Mos u shqetëso! Qëndro me mua!” Ata u ngjitën së bashku në mal dhe gjatë rrugës i tha: “A mund të m’i pastrosh morrat te flokët e mi?” Ajo nuk donte, por gjithsesi ia pastroi.
Tani të gjitha këto pjesë të vogla të tregimit nuk kanë shumë rëndësi për ne, por për bektashinjtë, është shumë e rëndësishme.
-Kështu ata arritën në majë të malit dhe gjetën dragoin. Dragoi i sulmoi me tërbim të madh. Plaku i nderuar me mjekër të bardhë dhe me shpatën e tij prej druri, goditi faqen e malit dhe prej aty doli një burim uji që formonte baltë në tokë, në të cilën i nguleshin këmbët dhe dragoi nuk mund ta shkëpuste. Nga tërbimi dragoi po nxirrte zjarr nga goja dhe në atë çast Sari Salltiku tha: “Tani është radha ime!” Sari Salltiku e vrau dragoin, i preu shtatë kokat, i preu gjuhët dhe i futi në xhep.
Kështu Sari Salltiku dhe princesha morën rrugë të ndara për në Krujë. Dhe njerëzit festuan sepse princesha e tyre shpëtoi. Princi ishte aq i lumtur sa ia ofroi dorën e së bijës kujtdo që kishte vrarë dragoin. Dhe shumë i dolën përpara me copa të dragoit duke thënë se ishin ata që e kishin vrarë. Vajza kishte tre mollë dhe ato duhej t'ia jepte kujtdo që do i kërkonte dorën. Por ajo i mbajti fort mollët dhe nuk ia dha askujt. Atëherë princi tha: “A ka ndonjë të huaj në qytet?” Dhe njerëzit thanë: "Po, është një burrë që po pi kafe në një kafene." Princi kërkoi që ta çonin tek ai. Dhe gjatë rrugës, banorët e qytetit thanë: “Jo, ky nuk mund të jetë burri i princeshës. Ky është plak. Nuk mund ta vrasë një dragua.” Por kur arriti para princit, princesha i dha tri mollët. Banorët e qytetit ishin mosbesues.
Pra, dora e princeshës iu ofrua Sari Salltiku dhe ai i tha: “Faleminderit princ, por ne bektashinjtë, nuk martohemi me gra që na i japin. Gjithçka që kërkoj është që të mund të jetoj në majë të malit, në shpellë dhe njerëzit nga qyteti të vijnë një herë në ditë për të më dhënë ushqim". Kjo funksionoi mirë. Derisa një ditë, disa njerëz në qytet thanë: “Ky plak bëri mrekulli. Ai vrau një dragua. Ndoshta ai mund të na vrasë edhe neve. Duhet ta vrasim ne të parët.” Burri që i çoi ushqimin në mal, e paralajmëroi Sari Salltikun. Por Sari Salltiku nuk kishte frikë. Mori shalqirin që i dhanë. E preu dhe tha: “Këtë do ta lë këtu që njerëzit të më kujtojnë.” E hodhi në ajër dhe u ngjit në majë të shpellës. U shfaq një mushkë. I hipi mushkës dhe shkoi në majë të malit. Zbriti nga mali dhe bëri katër hapa. Një hap në Krujë, një në Shijak, tjetri në Durrës dhe pastaj në Korfuz./E.P-dritare.net

















