
Në këtë emision, gazetarja Rudina Xhunga ishte në Shkodër, për të zbuluar shije që vijnë nga tradita, pasione të krijuara në breza, të cilat sot vijnë në tryeza si marka e qytetit. Çdo gjë nisi në një rrugicë të Stambollit, ku mjeshtër Adi shkoi për të marrë disa rroba për t’i shitur, bashkë me babain e tij.
Por, në atë rrugicë fati kishte rezervuar diçka tjetër. Një burrë me një makineri akullore, të cilën kërkonte ta shiste u bë shkas, që pasioni i tyre për traditën e ëmbël shkodrane të kthehej në biznes. Pasioni i mjeshtër Adit të pastiçeri "Eagle" të risillte ëmbëlsirën tradicionale të "trungut", që kush eshte rritur para viteve ‘90 në atë qytet nuk ka si të mos e kujtojë.
“Trungu është ëmbëlsirë që i takon periudhës socialiste. Kjo traditë ka nisur rreth vitit 1955 dhe është trashëguar deri më tani. Në Shkodër si në çdo qytet tjetër ishte punishte e ëmbëlsirave, aty ku prodhoheshin ëmbëlsirat për të gjithë qytetin. Mjeshtri që punonte atje, mjeshtër Filipi, i cili nuk jeton më, ka qenë shumë novator dhe ka pasur gjithnjë pasionin për të sjellë receta të reja.
Ndihem i emocionuar kur e kujtoj atë pjesë në rrugët e Stambollit. Burri tha : “Me këtë makinë akullore kam mbajtur fëmijët, po ata tani janë rritur dhe mua më duhet që këtë ta shes. Duhet ta shes biznesin dhe të gjitha.” Fat ishte që ne kaluam në atë rrugë. Madje ne nuk kishim as lekët e mjaftueshme me vete për ta blerë dhe i lamë vetëm një pjesë.
Pasi erdhëm në Shqipëri ne mblodhëm lekët për ta blerë atë makineri. Në vitin 1991 ajo kushtonte 2200 dollar, ishte një vlerë e madhe për atë kohë. Vetëm pasioni na shtyu për ta blerë. Pas viteve ‘90 në Shqipëri mungonin punishtet e akullores dhe ëmbëltoret dhe ishte një mundësi e mirë për të punuar. Fillimisht mjeshtër Filipi ishte ai që erdhi dhe na ndihmoi në fillimet tona, pas tij ishte Mark Poja. Mark Poja ishte po ashtu mjeshtër në prodhimin e ëmbëlsirës së trungut. Ëmbëlsira e trungut është prezent në çdo moment në dyqanin tonë.
Emri “Eagle” i pastiçerisë ka një kuptim tjetër. Përveç dy vajzave, ne kemi edhe një djalë me emrin Igli. Ai tani studion në Amerikë. Ne gjithmonë i flisnim “Igëll”, dhe kështu i mbeti emri pastiçerisë, megjithëse ai nuk po e trashëgon."
Ky është trungu i mjeshtër Adit, dhe vajzës së tij që do ta trashëgoj. Se tradita që kthehet në markë ka ëmbëlsi dhe kujtime, ka trashëgimi dhe pasion për të ndjekur në breza./M.T/dritare.net

















