
Në një nga ditët më të dashura të kalendarit mbretëror, “Trooping the Colour” 2025, Princesha Charlotte mahniti publikun me praninë e saj të ëmbël dhe hijeshinë e natyrshme që gjithnjë më shumë e shndërron në një ikonë të vogël të stilit.
E veshur me një fustan ngjyrë blu të hapur me një prerje klasike, Charlotte dukej si një reflektim i përsosur i nënës së saj, Princeshës së Uellsit, Catherine, e cila kishte zgjedhur një veshje po ashtu në nuanca blu, një fustan elegant me kapele kombinuar, që nënvizonte harmoni dhe unitet nënë e bijë. Kombinimi i tyre ishte delikat, por domethënës: një përqafim vizual mes brezave, që ruan traditën dhe e sjell atë me një frymë moderne e plot finesë.
Fustani i Charlotte-s ishte i thjeshtë, por i kuruar në çdo detaj, me mëngë të shkurtra, jakë të bardhë të rrumbullakët dhe fjongo të hollë në mes. Flokët e kapura me kujdes në një stil klasik, të zbukuruara me një fjongo që i përputhej veshjes, e bënin të dukej si një princeshë nga përrallat, por me një qëndrim prej zonjushe së re që po rritet nën dritën e vëmendjes publike me qetësi dhe dinjitet.
Në krah të prindërve dhe vëllezërve, Princeshës Charlotte nuk i mungoi as buzëqeshja dhe as eleganca në çdo moment, qofshin këto në karrocë gjatë paradës apo në ballkonin e Pallatit Buckingham, ku ajo përshëndeti turmën me atë hijeshi të natyrshme që i ka fituar zemrat e miliona admiruesve në mbarë botën.
Kjo paraqitje nuk ishte thjesht një moment bukurie, ishte një dëshmi se Charlotte po rritet si një figurë simbolike për të ardhmen e monarkisë britanike: me klas, mirësjellje dhe një sens të hershëm të rolit që ajo mban./K.C/dritare.net

















