
Ekstradohet nga Zimbabve administratori i inceneratorit të Fierit
Dritare.net
Interpol Tirana dhe Policia e Shtetit konfirmuan sot ekstradimin nga Harare, Zimbabve, të Loran Dushës, 42 vjeç, administrator i inceneratorit të Fierit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2022.
Dusha kërkohej me urdhër të Gjykatës së Posaçme me masën e sigurisë “arrest me burg”, nën akuzat për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Në shkallën e parë të gjykimit, ai u dënua me 7 vite burg, si pjesë e një dosjeje me 15 të pandehur, ku përfshiheshin edhe ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim, duke shtyrë vendimin përfundimtar për Dushën dhe të pandehurit e tjerë.
Ekstradimi i Dushës përbën një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për aferën e inceneratorëve, një nga çështjet më të përfolura të korrupsionit në Shqipëri vitet e fundit./K.C/dritare.net

















