
Tirana, kryeqyteti shqiptar kaq evropian!
Dritare.net
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë ndodhet në zemër të vendit, është qyteti më i madh dhe njëherësh qendra më e madhe ekonomike, administrative, politike, sociale dhe kulturore e vendit.
E si e tillë tërheq si një magnet rreth saj studentë që ulen në auditoret e Universiteteve me sytë nga e ardhmja. Tërheq edhe ata që këtë metropol të madh e shohin si vendin e mundësive. Dikush si një mundësi për një vend më të mirë pune, dikush si derën e hapur drejt zhvillimit dhe emancipimit e dikush si qytetin plot adrenalinë ku pëlqen të jetojë.
Tirana është padyshim një nga metropolet më të gjalla në Evropën Lindore. E përgjatë viteve ka ndryshuar shumë.
Dikur ishte shtëpia e çdokujt që vinte nga rrethet, më pas e çdonjërit që vinte nga trevat mbarëshqiptare, tani dhe e çdokujt kudo në botë, që zgjedh të pushojë apo punojë në Tiranë.
Mjaftoi një eveniment futbolli që bota të kthente sytë nga Tirana dhe të kuptonte se kryeqyteti shqiptar ka ditur të bëhet evropian, ka ditur të përqafojë kulturën dhe ta bëjë këdo të ndjehet si në shtëpi. Tirana nuk është vetëm shtëpia ime dhe e juaja, tani është e gjithkujt pavarësisht nga gjuha që ai flet, kultura apo vendi që përfaqëson. Tirana është shtëpia e të gjithëve ne!/M.K/dritare.net

















