
Hakmarrja dyshohet të jetë pista kryesore e hetimeve për ekzekutimin e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj, mbrëmjen e së hënës në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.
Burime pranë Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se grupi hetimor ka marrë në pyetje 12 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ekspertiza paraprake ka zbuluar se viktima është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, duke shtuar dyshimet se autori ka vepruar me bashkëpunëtorë.
Policia ka sekuestruar pamjet e disa kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Po ashtu, dyshohet se autori është larguar me motorçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur menjëherë pas krimit.
Frrok Lleshaj është viktima e pestë e një zinxhiri vrasjesh që lidhen me një gjakmarrje të nisur në fillim të viteve ’90 mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera. Ai është i treti në familjen e tij që vritet pas djalit dhe vëllait të tij, ndërsa viktima të konfliktit kanë qenë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj, me të cilin nisi përplasja, dhe një shtetas tjetër nga Puka.
Konflikti i parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i Frrok Lleshajt u vra në Greqi në rrethana të paqarta. Familja besonte se pas vrasjes fshiheshin kushërinjtë e tij. Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori hak për të birin, duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj – një vrasje për të cilën ai kurrë nuk e pranoi autorësinë.
Një tjetër konflikt u shënua me një familje nga Puka. Në këtë rast, Frrok Lleshaj vrau një person tjetër, për të cilin pranoi autorësinë dhe u dënua me 25 vite burg. Ai u arratis gjatë trazirave të vitit 1997, por u arrestua sërish në 2006 dhe qëndroi në burg deri dy vite më parë.
Pas daljes nga burgu, Lleshaj jetonte i vetëm, i braktisur nga gruaja dhe fëmijët, dhe merrej me blegtori në fshatin Paçram. Vrasja e tij ndodhi pranë banesës, ndërsa ecte në rrugët e fshatit. Trupi u gjet nga një kalimtar, i cili njoftoi policinë.
Deri më tani, asnjë person nuk është ndaluar për krimin. Policia vijon hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa gjakmarrja mbetet pista më e fortë për ekzekutimin e Frrok Lleshajt./K.C/dritare.net

















