
Hyn në fuqi receta e re mjekësore: Më shumë siguri për pacientët dhe më pak burokraci
Dritare.net
Formati i ri i recetës mjekësore ka hyrë tashmë në fuqi dhe po aplikohet nga të gjithë mjekët dhe farmacistët në vend. Risia kryesore e këtij dokumenti është se, përveç markës, mjekët janë të detyruar të shkruajnë edhe emrin gjenerik të ilaçit, në mënyrë që të parandalohet abuzimi nga ana e farmacistëve dhe të kufizohen influencat që mund të ushtrohen mbi mjekët nga kompani të caktuara farmaceutike.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, e ka cilësuar këtë hap si një masë që garanton më shumë siguri për pacientët, ndihmon në trajtimin dhe ndjekjen më të saktë të problematikave shëndetësore dhe njëkohësisht ul barrën burokratike për mjekët dhe farmacistët.
“Është pozitive sepse në të janë të gjithë elementët që kemi kërkuar për të qenë të saktë deri në ekzekutimin e plotë të recetës. Ka të përcaktuar saktë emrin e barit dhe dozën. Është e shkruar në principin aktiv dhe nuk lë hapësira për të gabuar,” shprehet një farmaciste.
Δείτε αυτή τη δημοσίευση στο Instagram.
Lehtësi për pacientët kronikë
Një tjetër risi e recetës së re është lehtësimi për pacientët kronikë, të cilët do të mund të pajisen me një recetë të vlefshme për 6 muaj, duke shmangur kështu rikthimet e shpeshta te mjeku për të njëjtën diagnozë. Receta përmban të dhëna të plota mbi pacientin, diagnozën akute apo kronike dhe emrat e medikamenteve të shkruar sipas përbërjes aktive, për të shmangur çdo keqkuptim në komunikimin me farmacistët.
E njëjtë për sistemin publik dhe privat
Udhëzimi i datës 11 korrik, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, parashikon që receta e re do të jetë e unifikuar për të gjithë sistemin shëndetësor, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Gjithashtu, në udhëzim sanksionohet se asnjë bar që është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Barnave nuk mund të jepet pa recetë nga farmacistët.
Ekzekutim i pjesshëm dhe më shumë fleksibilitet
Farmacistët kanë gjithashtu të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk disponohen të gjitha barnat e përshkruara, farmacisti duhet të shënojë barnat e dhëna, sasinë dhe datën, duke firmosur dhe vulosur dokumentin. Kjo i jep mundësi pacientit të vijojë kurën në një farmaci tjetër pa vonesa dhe pa rrezik ndërprerjeje të trajtimit.
Në çdo rast, farmacia ku jepet një pjesë e recetës duhet të mbajë një kopje të saj, duke ruajtur kështu gjurmueshmërinë dhe sigurinë e terapisë së pacientit.
Ky hap i rëndësishëm pritet të sjellë standardizim, më shumë transparencë dhe një kujdes shëndetësor më të sigurt për qytetarët./K.C/dritare.net

















