
Financial Times: Rusia ndihmon Iranin me programin bërthamor. Udhëtimet sekrete të shkencëtarëve iranianë në Moskë
Dritare.net
Rusia po mbështet fshehurazi Iranin në avancimin e programit të tij bërthamor, sipas një hetimi të thelluar të Financial Times, i cili zbulon udhëtime sekrete të shkencëtarëve iranianë në Moskë dhe lidhje të dyshimta mes kompanive iraniane dhe institucioneve ruse.
Hetimi fillon me një udhëtim të datës 4 gusht 2024, ku një grup prej pesë iranianësh, të udhëhequr nga shkencëtari bërthamor Ali Kalvand, vizitoi Moskën me pasaporta diplomatike të lëshuara në të njëjtën ditë. Ata pretendonin se përfaqësonin një kompani të vogël konsulence në Teheran, DamavandTec, por sipas FT, kjo ishte një mbulesë për një mision të organizuar nga struktura të lidhura me programin ushtarak bërthamor të Iranit.
Sipas burimeve perëndimore, një prej pjesëtarëve të delegacionit ishte anëtar i SPND – një njësi sekrete ushtarake iraniane që SHBA-të e konsiderojnë trashëgimtare të programit të fshehtë bërthamor të Iranit të ndalur në vitin 2003 nga lideri suprem Ali Khamenei. Një tjetër ishte ish-drejtor i një kompanie të sanksionuar nga SHBA, ndërsa një i tretë dyshohet të jetë oficer i kundërzbulimit iranian.
Delegacioni vizitoi institucione ruse që zhvillojnë teknologji me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak, ndërsa Kalvand shprehu interes për të blerë izotope të ndjeshme si tritiumi, i cili përdoret për të fuqizuar armët bërthamore dhe është objekt i rregullave të rrepta ndërkombëtare për mospërhapjen bërthamore.
Kjo vizitë ndodhi në një periudhë kur shërbimet perëndimore të inteligjencës kishin vërejtur një valë aktivitetesh të dyshimta të shkencëtarëve iranianë, përfshirë përpjekje për të siguruar teknologji nga jashtë që lidhet me armët bërthamore.
Në maj të këtij viti, SHBA vendosi sanksione të reja ndaj SPND, duke e akuzuar se punon për zhvillimin e teknologjive që mund të përdoren në armë dhe sisteme transportimi të armëve bërthamore.
FT thekson se DamavandTec ishte përdorur si fasadë për këtë mision, me urdhër të drejtpërdrejtë nga Ministria iraniane e Mbrojtjes. Në sipërfaqe, kompania paraqitet si një qendër kulturore e bashkëpunimit shkencor, por në realitet ajo shërben si kanal për komunikim dhe bashkëpunim me institucionet bërthamore ruse.
Kreu i kompanisë, fizikani Ali Bakhui, ka marrë doktoraturën në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe ka qenë përfaqësues shkencor i Iranit në Rusi, duke forcuar më tej lidhjet me qarqet shkencore bërthamore ruse.
Ekspertët e mos-përhapjes së armëve bërthamore që intervistuan Financial Times shprehen të shqetësuar për nivelin e bashkëpunimit ruso-iranian dhe për natyrën e misionit. “Nuk ka rëndësi nëse rusët po ndajnë teknologji ose komponentë, SPND do t’i përdorë ato për ndërtimin e armëve bërthamore,” deklaroi Pranay Vaddi, ish-drejtor i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA.
Zbulimi i këtij bashkëpunimi të fshehtë vë në pah rrezikun në rritje të një aleance teknologjike mes Moskës dhe Teheranit, në një kohë kur të dy vendet përballen me sanksione dhe izolim ndërkombëtar. Për Perëndimin, ky bashkëpunim përfaqëson një sfidë serioze për regjimin e mos-përhapjes bërthamore dhe për sigurinë globale./K.C/dritare.net

















