
Projekti për rikualifikimin e Ujërave Termale të Bënjës, Kumbaro: Përmirësojmë kushtet për vizitorët
Dritare.net
Vazhdojnë punimet në kantierin e Ujërave Termale të Bënjës me qëllim përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik dhe ndërhyrjeve rikualifikuese për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, inspektoi nga afër punimet shoqëruar nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kryetarët e bashkive Përmet e Këlcyrë, drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mrojtura dhe ajo e Zyrës së Adminsitrimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.
"Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi nisur investimin e një kantieri rikualifikimi të të gjithë zonës si nevojë për të ndërhyrë në radhë të parë për të orientuar flukset, si të makinave që grumbullohen në hyrje të kësaj zone natyrore dhe turistike si dhe për të organizuar gjithë hapësirën, duke ofruar dhe shërbime. Këtu kemi mungesë totale të ujit dhe energjisë elektrike. Me këtë investim të qeverisë shqiptare, do ta kthejmë në një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse jemi në zonë të mbrojtur dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos kemi ndërhyrje të rënda", tha ministrja.
Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për evente, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.
Ministrja Kumbaro kërkoi një bashkëpunim të ngushtë mes bashkisë Përmet dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për një menaxhim të suksesshëm të këtij atraksioni.
“Na duhet bashkëpunim me bashkinë për të gjetur një model të mirë të menaxhimit, me qëllim që të ruhet standardi, pastërtia dhe gjithë ky investim të mos degjenerohet. Kjo është arsyeja pse jemi të gjithë sot, bashkë me zyrën e administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe bashkitë Këlcyrë e Përmet që në hartën e tyre turistike e kanë një ndër stacionet më të preferuara këtë zonë.”
Ky investim parashikohet të përfundojë në muajin mars të vitit 2026./dritare.net

















