Nga Estrada e Peshkopisë, akademike në Cardiff!
Dritare.net

Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte e ftuar Vera Ndrecaj, akademike në Cardiff të Mbretërisë së Bashkuar ku edhe punon si pedagoge dhe këshilltare e qeverisë britanike për inovacionin. Zonja Ndreca rrëfeu rrugëtimin e saj të jetës në Dritare TV, ku na tregoi si la Shkodrën dhe punën në Estradën e Peshkopisë për të ndërtuar një jetë të re në Cardiff. Megjithëse e realizuar dhe me një karrierë të suksesshme, pengu i saj ngelet Shqipëria, vendi për të cilin thur ëndrra e plane.
“Unë jetoj në Cardiff, në kryeqytetin e Wellsit. Unë punoj për një nga universitetet më të mira në Wells, që është "Cardiff Metropolitan University" dhe jam pedogoge ku edhe udhëheq një program në nivelin master me partnerët tanë ndërkombëtarë. I gjithë shkollimi im është kryer në Britani të Madhe. Kam nisur me një "high national diploma", më pas me një "undergraduate degree" ndjekur kjo nga një master (NBA) dhe një master tjetër në mësimdhënie në edukimin e lartë dhe gjithashtu kam masterin e tretë e kam në “supply change management”. Për ta mbyllur të gjithë këtë kam marrë titullin “Doctor of Philosophy” pra kam një doktoraturë, të marrë në vitin 2018.
Fokusi im ka qenë kryesisht në fushën e biznesit në “strategic menagment”. Në këto lëndë që unë jap në universitet, janë kryesisht me fokus në lidership dhe menaxhim, menaxhim strategji, më menaxhim operacional ku jam drejtuese në projekte që u duhen studentëve për të kaluar në nivelin e 7 që e quajmë ne, pra në nivelin master.
Nuk jam vetëm kontribuese në mësimdhënien në universitete por jam gjithashtu pjesë e një grupi këshilltarësh të qeverisë së Wellsit. Ndihem shumë mirë sepse është një privilegj që një shqiptari t’i jepet mundësia të jetë pjesë e një grupi shumë të selektuar që këshillon qeverinë e Wellsit në inovacion. Qeveria e Wellsit është shumë e gatshme për të përmirësuar shërbimet e veta, ka kapacitetet e duhura për të ridizenjuar strategjinë e saj në perspektiva afatshkurtra dhe ato afatgjata. Janë shumë të gatshëm për të diskutuar me grupe të ndryshme akademike për të përmirësuar strategjinë dhe shërbimet e tyre. Pjesëmarrësit e tjerë janë vendas, pra britanikë dhe unë jam e vetmja e huaj.
Ne kemi vendosur të emigrojmë në vitin 2002, kam 20 vite në Britaninë e Madhe. Kemi ardhur familjarisht me bashkëshortin tim dhe dy fëmijët dhe kemi punuar fort për të krijuar jetën tonë këtu. Përpara se të vinim ketu, unë kam jetuar për 9 vjet në Peshkopi dhe kam pasur fatin të jem pjesë e estradës së teatrit të Peshkopisë. Kam punuar me artistë të mëdhenj si Lirie Rasha e Afrim Vladi e kjo më bën ta ndjej veten edhe pak dibrane. Pastaj me ndryshimin e sistemit, vendosëm që të ktheheshim në Shkodër. Vitet nuk ishin aspak të lehta kështu që vendosëm të emigronim për një jetë më të mirë, kryesisht për fëmijët tanë që të shkolloheshin dhe të kishin një stabilitet të vazhdueshëm. Kur mbërritëm në Mbretërinë e Bashkuar, kuptuam që ky realitet ishte totalisht ndryshe nga sa e kishim menduar. Ishte shumë e vështirë, siç është çdo fillim i ri. Unë kam ardhur menjëherë në Cardiff së bashku me familjen dhe që nga Shqipëria kam pasur vetëm shkollën e mesme. Kur erdha këtu nisa studimet. Ishte sfidë sepse nuk dinim gjuhën. Fillimisht ne kishim disa kursime familjare. Më pas unë kam shkuar në kolegj, së bashku me bashkëshortin. Fëmijt u regjistruan në shkollë. I gjithë procesi i marrjes së nënshtetësisë britanike ka zgjatur 5 vjet. Gjatë kësaj kohe ne kishim të drejtë të punomin kështu që unë bëja dy punë dhe shkoja dhe në universitet. Fillimisht kam punuar në retail (në shitje), në një dyqan ku menaxhoja një skuadër të vogël.
Njëkohësisht vazhdoja shkollën,e kisha me shumë pasion. Fillova shkollën e lartë në menaxhim biznesi dhe vitin e parë kemi bërë një pakt me familjen. U thamë që unë dua të shkoj në universitet, por të mos i tregonin askujt sepse kisha frikë se mund të mos ia dilja mbanë. Megjithatë unë i dola, përfundova vitin e parë dhe rezultatet përmirësoheshin çdo vit, derisa në vitin e tretë u diplomova me rezultate të shkëlqyera, si ekselente. Mendova se pas kësaj do më hapeshin dyert e punësimit, por nuk ishte kështu. Ndaj vazhdova më tej rrugëtimin tim. Fillova të shikoja për ndonjë master, ta çoja më tej rrugëtimin tim. Ndaj u regjistrova për masterin në Administrim Biznesi. Endrra për t’u punësuar ngeli sërish aty. Ishte shumë vështirë të gjeja një punë si unë kisha dëshirë. Kjo më zhgënjeu. Dëshiroja një punë në nivel korporate, në nivel drejtues. Ishtë shumë e vështirë dhe unë doja që kjo të ndodhte shpejt. Ndaj vendosa që të ndiqja edhe doktoraturën. Shkruajta një propozim, një aplikim dhe e nisa në tre universitete. Vendosa të shkoja në universitetin ku kisha ndjekur edhe studimet bachelor dhe ato master. Aty njihja edhe pedagogët dhe mendoja që kjo më jepte një suport më të madh. Ky vendim më ndryshoi jetën sepse kur unë zgjodha këtë program në atë universitet, jam bërë pjesë e ekipi kërkues (research) ndaj vendosa që doktoraturën ta kaloja part-time dhe të punoja full time si researcher.
M’u deshën 10 vite për të mbërritur këtu. Kam filluar në shkurt të vitit 2012 dhe në shtator të po atij viti mua më ofruan një kontratë nga universiteti si pedagoge e brendshme me kohë të plotë. Lënda që jepja lidhej me “supply cange menagment” dhe për këtë më nevojitej dhe një master në po të njëjtën fushë. Ndaj vendosa që ndërkohë që bëja PhD, të filloja paralelisht dhe një master, ndërkohë që punoja si pedagoge. Për një vit mbylla masterin ndërkohë që avancoja me PhD. Ndërkohë më afrohej afati i mbylljes së kontratës si pedagoge, sepse bëhej fjalë vetëm për dy vjet. Një ditë marrim një email nga universiteti, ku ftonin çdo akademik që dëshironte një kualifikim në mësimdhënie, universiteti do paguante kostot. Në atë moment mendova: pse jo, është një mundësi e shkëlqyer. E mora dhe këtë mundësi dhe kështu kompletova masterin e tretë. Duke parë rezultatet akademike në të tre masterat, ku kisha dalë ekselente shpresat m’u rritën se nëse kisha dëshira, mund të arrija shumë më tepër. Nuk e kisha menduar kurrë që do kisha ëndrra kaq të mëdha por ndonjëherë ndodhesh në vendin e duhur në kohën e duhur.
Nëse dikush do më pyesi cila është arritja ime më e madhe, do thosha që të jem një model për fëmijët e mi. Që t’u tregoja atyre se si ëndrrat mund të arrihen, mund të shkohet drejt suksesit. Doja t’u tregoja që çdo hap që hidhet në jetë duhet të jetë i sigurtë. Kjo është arritja ime më e madhe. Fëmijët nuk duan t’ua tregosh rrugën, ata duan ta shohin atë. Ndoshta kjo i ka bërë që të ndjekin edhe rrugën time.”, u shpreh ajo në Dritare TV./M.K/dritare.net