
Shqipëria me parqe eko-industriale, ministri Gonxhe: 600 mijë euro investim
Dritare.net
Shqipëria do të investojë 600 mijë euro për transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale.
Kthimi i industrive të braktisura në parqe rekreacioni si dhe eko industrial do të zhvillohen nëpërmjet një marrëveshje të arritur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore.
Do të jetë zona e Ish-Kombinatit në Tiranë si fillim e cila do t’i nënshtrohet një studimi për mundësinë e rivitalizimit të saj.
“Në kuadër të projektit të parqeve industriale në Shqipëri, IFC ka propozuar që ta kthejmë në format bashkëpunimi me ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për të përfshirë tre komponentë kryesore. E para, përmirësimi i kornizave rregullatore dhe politike, integrimi i kornizës ndërkombëtare të parqeve eko industriale për të zgjeruar konceptin e tyre në vendin tonë. I dyti, forcimi i kapaciteteve i këtyre parqeve që synojnë në kalimin në konceptin sa më të parë të parqeve që janë ekzistuese përmes fillimit të një pilotimi përmes këtij projekti. I treti është aktivizimi sa më energjik i kapitalit privat që implementojmë teknologji të reja, forcimin e teknologjisë ekzistuese aty ku jemi”, tha ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe.
Një iniciativë e tillë sipas Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato pritet të zhvillojë ekonominë e vendit por nxisë edhe bizneset të investojnë edhe në rajon.
“Në bazë të ritmit dhe thellësisë së reformave Shqipëria mund të përfitojë nga pothuajse 1 miliardë euro për të ecur përpara me rritjen ekonomike të vendit. Objektiv i BE-së është që të stimulojë investimet dhe klimën e zhvillimit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin. Këto parqe eko-industriale janë shumë të rëndësishme pasi mbështesin investimet dhe kalimin në praktika më miqësore ndaj mjedisit”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasador i Bashkimit Europian.
Projekti për parqet eko industrial pritet të zgjasë deri në vitin 2027./L.F-dritare.net

















