Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Genc Burimi: Pse Sali Berisha nuk duhet të japë dorëheqje!

Genc Burimi: Pse Sali Berisha nuk duhet të japë dorëheqje!

I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV, analisti dhe gazetari Genc Burimi u shpreh se Sali Berisha nuk ka arsye të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike, pavarësisht zërave që e lidhin këtë me statutin e partisë.


"Jo, nuk jam dakord që Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen dhe të mos kandidojë më për kryetar të Partisë Demokratike, edhe pse disa thonë se këtë e kërkon statuti. Ka dy arsye për këtë qëndrim: së pari, në jurisprudencën politike shqiptare ka precedentë që e kundërshtojnë këtë logjikë. Për shembull, në vitin 2009, kur PS humbi zgjedhjet, Ben Blushi i kërkoi Edi Ramës dorëheqjen duke iu referuar statutit. Por Rama nuk dha dorëheqje, sepse pretendoi se zgjedhjet ishin manipuluar. Pra, nëse atëherë nuk vlejti për Ramën, pse duhet të vlejë sot për Berishën?

Së dyti, në Shqipëri nuk ekziston një traditë e dorëheqjes pas humbjes. As Rama nuk dha dorëheqje, as Basha. Këtu funksionon logjika që "nëse ai nuk dha dorëheqjen, pse duhet ta jap unë?". Më tej, zgjedhjet e fundit janë konsideruar të padrejta nga faktorë ndërkombëtarë si Parlamenti Europian dhe OSBE. Kjo i jep Berishës një arsye më shumë për të mos u tërhequr.
Po ashtu, partitë politike në Shqipëri shpesh funksionojnë si ndërmarrje private, ku lideri ka rol dominues dhe vendimmarrës. Në këtë kontekst, kush jemi ne që të imponojmë dorëheqje? Debati për dorëheqjen e Berishës, sipas meje, nuk ka shumë kuptim. Shembuj të ngjashëm i kemi edhe në Perëndim për shembull, në Francë Le Pen ka humbur disa zgjedhje, por nuk është larguar nga drejtimi i partisë së saj. – u shpreh analisti në DritareTv/E.P-dritare.net