
Sekreti i fuqisë bërthamore të Iranit. Pse ishin të rëndësishme Natanz, Isfahan dhe Fordow!
Dritare.net
Tri objektivat bërthamore iraniane, Natanz, Isfahan dhe Fordow u shkatërruan mbrëmë nga 14 bomba bunker buster të SHBA-së. Këto tri objektive bërthamore janë të një rëndësie strategjike dhe teknologjike thelbësore për programin bërthamor të Iranit. Këto qendra përfaqësojnë hallka të ndryshme në zinxhirin e zhvillimit të një kapaciteti të plotë bërthamor, qoftë për qëllime civile, qoftë për ndërtimin e armëve bërthamore.
1. Natanz – Qendra e pasurimit të uraniumit
Është objekti kryesor i pasurimit të uraniumit në Iran, me mijëra centrifuga të tipit IR-1 dhe më pas edhe më të avancuara (si IR-2m). Uraniumi pasurohet këtu në përqindje të ndryshme, nga 3.67% për qëllime energjetike deri në 60%, që është shumë pranë nivelit për armë bërthamore (90%). Pasurimi është hapi kyç për prodhimin e lëndës që mund të përdoret në një armë bërthamore. Objektivi është shpesh në qendër të kontestimeve ndërkombëtare dhe ka qenë disa herë objekt i sulmeve kibernetike (si virusi Stuxnet në 2010) dhe akteve sabotimi.
Kontrolli mbi Natanz është barometri i transparencës së Iranit në raport me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
2. Isfahan, qendra e përpunimit dhe prodhimit të karburantit bërthamor
Aty ndodhet Uzina e Konvertimit të Uranit (UCF) ku përgatitet uraniumi i konvertuar në gaz UF6, që më pas dërgohet për pasurim në Natanz apo Fordow. Gjithashtu, përfshin kapacitete për prodhimin e lëndëve karburante për reaktorët bërthamorë, duke përfshirë edhe lëndë plutonium potencialisht të ndashme nga mbeturinat bërthamore. Është nyja e parë teknologjike për të filluar zinxhirin bërthamor.
Kontrolli mbi prodhimin e UF6 (uranium hexafluoride) nënkupton kontroll mbi kapacitetin e të gjithë sistemit të pasurimit. Gjithashtu, është tregues i ambicieve të Iranit për të pasur një infrastrukturë të pavarur bërthamore pa varësi nga importet.
3. Fordow, objekti nëntokësor dhe i mbrojtur i pasurimit
Është një objekt i ndërtuar në thellësi të maleve pranë qytetit Qom.
Përmban centrifuga për pasurim të uraniumit, por me një kapacitet më të kufizuar sesa Natanz, por më të sigurt nga sulme ajrore ose sabotime.
Fordow është simbol i ndërtimit të kapaciteteve sekrete dhe është zbuluar nga shërbimet perëndimore në vitin 2009.
Përdoret shpesh si mjet presioni diplomatik. Kur Irani dëshiron të rrisë presionin ndaj Perëndimit, shpesh fillon pasurim të avancuar në Fordow.
Vlera ushtarake është e lartë për shkak të mbrojtjes së saj fizike dhe potencialit për ruajtje ose fshehje aktivitetesh të ndjeshme.
Pse janë thelbësore?
Bashkë, Natanz, Isfahan dhe Fordow përfaqësojnë të gjithë ciklin bërthamor të një shteti që kërkon vetëmjaftueshmëri: nga prodhimi i lëndës së parë, te pasurimi dhe mundësia për ta përdorur në reaktorë ose për armë.
Këto objekte janë shtylla të fuqisë strategjike të Iranit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në politikën e jashtme të Teheranit, janë mjete presioni, pazaresh diplomatike dhe simbole të sovranitetit teknologjik.
Janë gjithashtu shënjestra të përhershme të shqetësimeve ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja, Izraeli dhe BE-ja, për shkak të dyshimeve mbi qëllimet ushtarake të programit bërthamor iranian./K.C/dritare.net

















