Na ndiqni edhe në

Shëndet

Kruarja e lëkurës, simptoma e zakonshme që mund të fshehë sëmundje serioze

Kruarja e lëkurës, simptoma e zakonshme që mund të

Kruarja është një nga simptomat më të shpeshta në popullatë dhe në format kronike mund të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në cilësinë e jetës, pothuaj sa dhimbja kronike. Ajo nuk lidhet vetëm me probleme të lëkurës, por në disa raste mund të jetë shenjë e sëmundjeve më të rënda/.

Sipas specialistëve të dermatologjisë, kruarja mund të shoqërojë sëmundje si psoriaza, dermatiti atopik dhe zgjebja, por gjithashtu mund të lidhet me patologji të organeve të brendshme si insuficienca e mëlçisë dhe veshkave, diabeti, neuropatitë, çrregullimet psikiatrike, si dhe kruarja kolestatike gjatë shtatzënisë.

Ky problem është në fokus të Kongresit Kombëtar të 99-të të Shoqatës Italiane të Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme (SIDeMaST), i zhvilluar në Rimini, ku ekspertët theksuan rëndësinë e trajtimit të personalizuar të pacientëve.

“Po kalojmë drejt një ndryshimi të madh në dermatologji: nuk trajtojmë më vetëm simptomën, por pacientin në mënyrë individuale,” u shpreh Paolo Amerio, profesor i dermatologjisë në Universitetin “G. d’Annunzio” të Chieti-Pescara.

Në të ardhmen, studiuesit synojnë që përmes një analize të thjeshtë gjaku të identifikojnë mekanizmin specifik të kruarjes, duke mundësuar zgjedhjen e trajtimit më të saktë dhe me më pak efekte anësore.

Sipas ekspertëve, kruarja ndikon jo vetëm në lëkurë, por edhe në shëndetin mendor dhe jetën sociale, duke shkaktuar ankth dhe depresion në rreth 20% të pacientëve, si dhe probleme me gjumin në rreth 60% të rasteve. Ajo mund të çojë gjithashtu në izolim social për shkak të perceptimeve të gabuara mbi ngjitshmërinë e saj./K.C/dritare.net