Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës/ Shtyhet sërish seanca parlamentare. Mungon opozita
Dritare.net

Kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu ka shtyrë edhe një herë seancën për zgjedhjen e presidentit, në mungesë të kuorumit.
Haxhiu ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të mbahet prej orës 19:00.
“Për shkak të mungesës së opozitës, dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për shkak të obligimeve... Ju njoftoj që kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, ka thënë ajo.
Fillimisht seanca nisi në orën 10:00, por në mungesë kuorumi kryeparlamentarja e shtyu për në orën 14:00. Të njëjtën e bëri edhe në vazhdimin e dytë me arsyetimin se po i pret deputetët e opozitës, për çka tha se e kanë obligim pjesëmarrjen. Në rast moszgjedhjeje të presidentit deri në mesnatë, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare. Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese./K.C/dritare.net