
Rama për The Guardian: Do ta kaloj stafetën, kur Shqipëria të jetë në BE!
Dritare.net
The Guardian
“Plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta tregon se Britania pas Brexit-it ndodhet në errësirë”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për The Guardian.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se ideja që Britania kërkon “vende ku të hedhë emigrantët” do të ishte e paimagjinueshme një dekadë më parë.
Por, sipas tij, kjo përputhet me ndryshimin e diskursit publik në Britani që nga Brexit-i, ku “e papranueshmja, qesharakja dhe turpëruesja” janë bërë të zakonshme.
Plani, i shpallur muajin e kaluar nga Keir Starmer gjatë një vizite në Ballkan, parashikon krijimin e qendrave në vende të treta për të përpunuar kërkesat e personave që u është refuzuar azili dhe që kanë përfunduar të gjitha rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë thjesht nuk do të imagjinohej … që Britania të kërkonte vende për të hedhur emigrantët,” tha Rama nga Tirana.
“Fakti që sot jo vetëm që imagjinohet, por po ndodh, nuk është për shkak të Keir Starmer apo Rishi Sunak që po bëjnë diçka të pahijshme; është për shkak të faktit që vendi ndodhet në një moemnt të errët.”
Rama, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Britani. Rama tha se Britania e ka të vështirë ta pranojë këtë realitet.
“80 për qind e gjërave që thuhen, shkruhen apo pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme, janë gjëra që [para Brexit-it] do të ishin plotësisht të papranueshme, qesharake dhe të turpshme,” shtoi ai.
Marrëdhëniet mes Britanisë dhe Shqipërisë ishin përkeqësuar nën qeveritë konservatore, të trazuara nga kalimet me gomone dhe akuzat për emigrantë shqiptarë të paligjshëm që “pushtonin” brigjet britanike.
Vizita e Starmerit në maj – e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik – synonte të vendoste marrëdhënie të reja dypalëshe. Gjatë vizitës, lideri i Laburistëve tha se ishin në bisedime “me disa vende” për ngritjen e këtyre qendrave. Por Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp, tha se Shqipëria nuk do të bëhej pjesë e këtij plani, një deklaratë që u interpretua si një qortim i butë ndaj mysafirit.
Në intervistë, Rama sqaroi se Starmer – “një njeri shumë i sjellshëm dhe i këndshëm” – nuk e kishte kërkuar publikisht këtë gjë dhe se nuk ishte i pari që e kishte ngritur këtë çështje në mënyrë private.
“Kam qenë i qartë që kur ma kërkoi Boris Johnson dhe më pas Rishi… Gjithmonë kam thënë jo,” tha ai.
Rama theksoi se marrëveshja me Italinë, e ngjashme në formë, është krejt ndryshe për shkak të “marrëdhënieve shumë të veçanta” me Romën. Sipas kësaj marrëveshjeje, personat do të ndalohen në det dhe shumica nuk do të dërgohen në Itali, por në një qendër pritjeje në Shqipëri ku do të përpunohen kërkesat për azil. Megjithatë, ajo është pezulluar për shkak të pengesave ligjore.
Që nga rënia e regjimit në vitin 1991, Italia ka qëndruar pranë Shqipërisë, theksoi Rama. Si rezultat, shqiptarët kanë një “dobësi” për Italinë.
“Praktikisht jemi një vend i ndarë në dy shtete të pavarura… Italia ka qenë pranë nesh në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita kur dolëm nga ferri i [të qenit] Koreja e Veriut e Europës,” shtoi ai. “[Ne] kemi një dobësi për Italinë, ndaj kur Italia na kërkon diçka, themi po. Pikë.”
Qëndrimi i Ramës vjen në një moment kur Shqipëria ndjen një besim të ri politik, teksa po bën përparime të rëndësishme drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, kjo vjen falë një fryme të re të udhëhequr nga gjeopolitika që pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, çka ka përshpejtuar negociatat e pranimit dhe rritur përqafimin e Ballkanit Perëndimor nga Brukseli – një rajon që Moska historikisht e ka parë si pjesë të sferës së saj të ndikimit.
Rama, i cili mbush 60 vjeç në korrik, zhvilloi fushatën e tij zgjedhore me premtimin se do të vazhdonte përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai tani beson se negociatat do të përmbyllen deri në vitin 2027 dhe “brenda vitit 2030 do të jemi anëtarë të BE-së”. Shqipëria, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 2009, është kandidate për anëtarësim në BE prej më shumë se një dekade.
“E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike,” tha ai. “Tani ata [BE-ja] janë shumë të etur për të ecur përpara… Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që në një farë mënyre edhe Vladimir Putini e bëri këtë — e bëri Evropën shumë më të interesuar për t’u bashkuar.”
Ai sheh një efekt të ngjashëm tek BE-ja edhe nga banori i ri i Shtëpisë së Bardhë dhe është “100% i bindur që fitorja e Donald Trump është një gjë e mirë për Evropën”. Rama tha se fitorja e Trump e tronditi Evropën nga gjendja e saj e përgjumur dhe solli “një frymë shqetësuese” që bota kishte nevojë.
“Mendoj se kur Trump thotë që Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, ai thotë vetëm gjysmën e të vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Evropën – për ta zgjuar atë,” tha ai.
Më vonë këtë vit, piktori i kthyer në kryeministër do të nisë një turne “falënderimi” në komunitetet e diasporës, të cilat, për herë të parë, patën mundësinë të votojnë në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke ndihmuar që ai të sigurojë një fitore dërrmuese. Më shumë se 500,000 shqiptarë etnikë mendohet se jetojnë vetëm në Greqi. Shpresa e Ramës është që t’i kthejë ata në atdhe, “sepse tani pagat tona janë shumë pranë atyre në Greqi dhe është shtëpia e tyre”.
Por lideri i Partisë Socialiste, me gjatësi 2.01 metra, një ish-lojtar basketbolli në rini, ka edhe kritikë. Akuzat për korrupsion në shoqërinë shqiptare janë të përhapura. Gjithashtu janë të zakonshme akuzat për autoritarizëm në rritje – Rama do të jetë udhëheqësi më jetëgjatë që nga Enver Hoxha, ish-diktatori brutal i vendit – edhe pse admiruesit e tij dhe zyrtarët në Bruksel i cilësojnë këto pretendime si qesharake.
Një ish-ministër i BE-së tha: “Edi është një figurë më e madhe se jeta vetë. Problemi i tij është se ai është shumë i madh për vendin e tij dhe nuk po i referohem gjatësisë.”
Nëse Shqipëria do ta arrinte anëtarësimin në BE, Rama tha se do të ishte “momenti i duhur dhe më i mrekullueshëm për t’ia kaluar stafetën tjetrit”. Kjo do të ishte një arritje personale, por edhe një mënyrë për të “bërë Evropën më pak të mërzitshme dhe më diellore”/L.F-dritare.net

















