Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Marrëdhënia ime me Edi Ramën! Flet Sara Mila!

Marrëdhënia ime me Edi Ramën! Flet Sara Mila!

Në një intervistë të gjatë me Roland Qafokun në emisionin “Dekalog” në DritareTV, deputetja e re e Partisë Socialiste, Sara Mila, tregoi për herë të parë në mënyrë të detajuar rrugëtimin e saj drejt politikës, eksperiencat në administratë dhe marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama.

E pyetur nga gazetari Qafoku për raportin me kreun e qeverisë, Mila u shpreh:
“Ka marrëdhënie të mira si çdokush nga ne që jemi të rinj. E kam takuar kur kemi bërë mbledhjen e parë me ‘Deputetin që duam’. Ka qenë një takim formal, por nuk besoj që ai të më mbajë mend që nga ajo kohë, sepse kemi qenë shumë në staf.”

Ajo tregoi se karriera e saj nisi përmes platformës për studentët ekselentë në vitin 2018, të krijuar pas protestës së studentëve, edhe pse fillimisht ishte skeptike.
“Nuk e kam besuar fare atë platformë, mendoja se ishte thjesht një truk politik. Por unë isha në sektorin privat, kisha dëshirë të shkoja drejt administratës publike. Nuk ndihesha sikur përkisja aty ku isha. Kështu që provova.”

Kjo eksperiencë i hapi derën e parë në administratë, në një pozicion pranë strukturave të Kryeministrisë.
“Kam qenë përgjegjëse për organizimin e eventeve qeveritare. Që nga samitet e Open Balkan, te një ministerial shumë i rëndësishëm kur Shqipëria mbante karrigen e kryesueses së OSBE-së. Ai u organizua në Zoom, me mbi 700 lidhje nga gjithë bota. Unë isha menaxhere e situatës.”

Pas kësaj, Mila fitoi një tjetër garë për një post drejtues në Shërbimin Social, ku qëndroi tre vite, para se të jepte dorëheqjen për t’iu futur garës së “Deputetit që duam”.

“Platforma ‘Deputeti që duam’ nuk ishte ideja ime, por unë i besova sepse më kishte dhënë mundësi më parë. Nuk shkova me pikëpyetje te kjo platformë. Pyetja ime e vetme ishte: A dua unë ta bëj këtë gjë në këtë moment? Sepse unë nuk bëj asgjë me gjysmë zemre.”

Nga 700 aplikantë, Sara Mila ishte mes 30 të përzgjedhurve që u përfshinë në listat për deputetë. Përzgjedhja u bë nga një bord i drejtuar nga ministrja e atëhershme për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, me pjesëmarrjen edhe të figurave si Ervis Kushi, Romina Kuko dhe Leart Kola.

Kur Qafoku i tha: “Sara, kur të vijnë të mirat hapu derën. Ke fituar gjithmonë: në administratë, në shërbimin social, tani je deputete.”, Mila u përgjigj:
“Unë nuk i besoj fatit. Fati vjen tek ata që punojnë fort. Unë nuk jam humbëse. Dua të jem e vërtetë dhe model për shumë vajza. Mos kini frikë të guxoni, mos e vrisni mendjen për paragjykimet. Edhe unë kam marrë fatura shumë të mëdha në këtë rrugëtim. Por di të njoh vlerat dhe pikat e mia të forta.”

Në një mesazh të fortë për vajzat që duan të ndjekin politikën apo administratën publike, Sara Mila theksoi:
“Gjëja që unë di të bëj më mirë është t’ia di vlerat vetes. Guxoni dhe njiheni të mirat tuaja. Sepse vetëm kështu mund të filloni mbarë atë punë që dini ta bëni më mirë.”

Një rrëfim personal që shkon përtej karrierës, me shumë sinqeritet, sfida dhe vetëdije për të treguar se një vajzë e re mund të ndërtojë një rrugë në politikë, pa pasur mbështetje familjare politike apo “emra të mëdhenj” pas vetes./K.C/dritare.net