
Rama mesazh Prokurorisë së Shkodrës për Thethin: Mosveprimi dëmton komunitetin dhe turizmin
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ngjarjet në Theth, ku 10 kabinat e ndërtuara pa leje tashmë janë hequr nga terreni. Ai njoftoi se Ministria e Drejtësisë po përgatit dokumentet për të kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisjen e hetimit ndaj prokurores përgjegjëse, si dhe ndaj të gjithë Prokurorisë së Shkodrës.
Në një reagim të fortë, Rama u shpreh:
“Është shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth, ku strukturat e shtetit që kanë vepruar janë lënë në baltë nga një prokurore, ndërkohë që Prokuroria e mbron atë. Në shkollë ka një lëndë që quhet logjikë, por në argumentet e tyre mungon çdo lloj logjike. Kjo mungesë logjike në një institucion themelor të zbatimit të ligjit përkthehet në dëme të mëdha për komunitetin, për individët, për pasurinë tonë të përbashkët dhe për imazhin e vendit.”
Kryeministri shtoi se imazhi i Shqipërisë dëmtohet para syve të qindra turistëve, të cilët shohin fadromat që po pastrojnë plagën e hapur nga një individ i papërgjegjshëm. i cili ka kryer krime të shumta.
"Çfarë imazhi është ky në sytë e atyre qindra turistëve që dje edhe sot në Theth shikojnë fadromat, që shkojnë atje për të pastruar plagën e hapur nga një individ totalisht i papërgjegjshëm, që ka kryer krim të shumëfishtë atje dhe që ende tani që flasim nuk dihet kush është sepse prokurorja Gjeli, e ka lënë të lirë duke mos vendosur mosfillimin e çështjes, dmth ka vendosur të mos bëjë asnjë hetim”, tha Rama./K.C/dritare.net

















