Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: 1463 problematika në Tiranë, prioritet lirimi i hapësirave publike

Rama: 1463 problematika në Tiranë, prioritet lirimi i hapësirave

Ka nisur takimi i Kryeministrit Edi Rama me deputetët dhe kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 11 majit, si dhe me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, me fokus aksionin për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur se deri më tani janë inventarizuar 1463 problematika vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë, shumica dërrmuese e të cilave lidhen me uzurpimin e hapësirave publike.

"Një rilindje urbane 2.0. Kjo përmbledhje këtu ka 1463 çështje të identifikuara. Shumica janë të lidhura me zonën e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Bashkinë e Tiranës," deklaroi Rama, duke falënderuar IKMT-në për punën intensive në terren.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë durim, duke theksuar se të gjitha ankesat do të trajtohen, por kërkojnë kohë për shkak të volumit të lartë dhe procedurave ligjore që duhet të ndiqen.

"Të gjitha do të adresohen, por duan pak kohë. Edhe kur IKMT shkon në terren, nuk e bën gjithçka menjëherë, lihet procesverbal, jepet njoftim, u jepet mundësia njerëzve t’i çmontojnë vetë ndërtimet pa leje," shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se aksioni ka nisur edhe në qytete të tjera si Durrësi dhe Shkodra, pas alarmit të ngritur nga ndërtimet e paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit.

Ai njoftoi gjithashtu se aktualisht janë ngritur disa grupe pune për të analizuar gjendjen në Bashkinë e Tiranës, përfshirë një grup të drejtuar nga zv.kryeministri që merret me analizën e shërbimeve, një tjetër nga Ministria e Financave për situatën financiare, si dhe grupe të tjera për menaxhimin e problematikave specifike.

Në përfundim, Rama u shpreh se deputetët e angazhuar në terren dhe strukturat shtetërore janë në një aksion të përbashkët që synon të rikthejë hapësirat publike në funksion të komunitetit dhe të forcojë ligjshmërinë në përdorimin e territorit./K.C/dritare.net