
Privatizimi i ish-kompleksit Partizani/ SPAK: Berisha ndryshoi ligjet në favor të dhëndrit
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka reaguar për herë të parë zyrtarisht që pas vendimit për arrestimin e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ortakut të tij Fatmir Bektashi dhe vendimin për detyrim paraqitje ndaj Berishës, për aferën me ish-klubin e Partizanit.
SPAK në njoftimin zyrtar nënvizon se Sali Berisha, në kohën kur ishte kryeministër, ka miratuar ligje sipas nevojave të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Po ashtu SPAK thekson se Berisha ka ushtruar presion për privatizimin e ish-kompleksit 'Partizanit' në favor të Malltezit si dhe ka vënë në dispozicion struktura të administratës shtetërore po për dhëndrin e tij.
“Shtetasi S. B., është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SPAK-ut./K.C/dritare.net

















