Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK rendit akuzat që rëndojnë mbi ish-kryeministrin Sali Berisha! 

SPAK rendit akuzat që rëndojnë mbi ish-kryeministrin Sali
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion “SPAK” ka reaguar për herë të parë zyrtarisht që pas vendimit për arrestimin e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ortakut të tij Fatmir Bektashi dhe vendimin për detyrim paraqitje ndaj Berishës, për aferën me ish-klubin e Partizanit.

SPAK në njoftimin zyrtar nënvizon se Sali Berisha, në kohën kur ishte kryeministër, ka miratuar ligje sipas nevojave të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Po ashtu SPAK thekson se Berisha ka ushtruar presion për privatizimin e ish-kompleksit 'Partizanit' në favor të Malltezit si dhe ka vënë në dispozicion struktura të administratës shtetërore po për dhëndrin e tij.

Në deklaratë, SPAK-u ka renditur akuzat që rëndojnë mbi zotin Berisha:
“Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:
Shtetasi S. B., është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:
· Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SPAK-ut./K.C/dritare.net