
Seksi pas të 40-ave! Çfarë s’të tregon askush! Flet mjekja!
Dritare.net
Në një intervistë për Dritare TV, mjekja Drilona Ndrevataj ndau një sërë këshillash e të vërtetash për çështje të rëndësishme që shpesh mbeten tabu në shoqëri: funksioni seksual pas të 40-ave, infertiliteti te meshkujt, shëndeti i prostatës dhe problemet uro-gjenitale tek femrat.
Disfunksioni erektil, jo vetëm në pleqëri
Mjekja theksoi se disfunksioni erektil nuk është një problem vetëm i moshës së madhe, siç besohet zakonisht.
“Është mit që disfunksioni erektil ndodh vetëm në moshë të madhe. Ai ndodh edhe në moshë të re dhe arsyet janë të ndryshme në faza të ndryshme të jetës,” – u shpreh Ndrevataj.
Në moshat e reja, problemi lidhet shpesh me ankthin e performancës, ndërsa në moshat mbi 50 vjeç, problemet janë zakonisht organike: hipertensioni, diabeti, obeziteti dhe sëmundjet kardiovaskulare janë faktorë të zakonshëm.
Infertiliteti te meshkujt dhe ndikimi i stilit të jetesës
Për sa i përket fertilitetit, mjekja Ndrevataj vuri në dukje se një nga arsyet më të zakonshme të infertilitetit tek meshkujt është stili i jetesës:
“Meshkujt obezë, ata që konsumojnë alkool, duhan apo drogë, kanë më shumë rrezik për përkeqësim të cilësisë së spermës,” – tha ajo, duke shtuar se edhe stresi kronik ndikon negativisht.
“Këshilla kryesore për meshkujt e rinj që duan të bëhen prindër është modifikimi i stilit të jetesës: aktivitet fizik, evitimi i zakoneve të dëmshme dhe menaxhimi i stresit,” – tha Ndrevataj.
Prostata dhe rëndësia e seksit të rregullt
Sipas Ndrevatajt, një jetë seksuale aktive është e rëndësishme edhe për shëndetin e prostatës:
“Dy-tre herë në javë është një frekuencë e shëndetshme që ndikon pozitivisht jo vetëm në prostatë, por në gjithë organizmin e mashkullit,” – shpjegoi mjekja.
Të mos neglizhojmë shëndetin urologjik
Mjekja Ndrevataj i bëri thirrje qytetarëve të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e mjekut, veçanërisht urologut:
“Fatkeqësisht në kulturën tonë mungon ideja e parandalimit. Por duhet të kuptojmë që sa më herët të diagnostikohet një problem, aq më i lehtë është trajtimi. Kjo vlen veçanërisht për sëmundjet e prostatës dhe kancerin e prostatës,” – theksoi ajo./K.C/dritare.net

















