
SPAK: Shuma që përfitoi Jamarbër Malltezi nga privatizimi i ish-klubit “Partizani”!
Dritare.net
Në deklaratën e saj Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion përpos akuzave ndaj Jamarbër Malltezit, Sali Berishës dhe Fatmir Bektashit, ka shënuar edhe shumën e përfituar nga privatizimi i ish-klubit Partizani dhe ndërtimi i një blloku pallatesh në të. SPAK-u thotë se Malltezi ka përfituar 672 976 832 lekë ose 5 420 345 euro, me ndihmën e ortakut të tij Bektashit dhe ish-kryeministrit Berisha.
Ja çfarë thotë SPAK-u!
“Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:
· Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Shtetasi J. M. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:
· Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.
Shtetasi F. B. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin J. M. për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Gjithashtu shtetasi F. B., dyshohet se ka konsumuar edhe vepren penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin J. M., pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit J. M., duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e SPAK-ut./K.C/dritare.net

















