Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga tava e kosit te tava me pistil. Shef Naimi tregon pasurinë e kuzhinës elbasanllie!

Nga tava e kosit te tava me pistil. Shef Naimi tregon pasurinë e

Në restorantin 'Il Bosco', Shef Naimi na fton në një udhëtim të rrallë në zemër të traditës kulinare të Elbasanit, ku koha dhe stinët diktojnë menunë. Larg koncepteve moderne të gatimit gjatë gjithë vitit, shefi riktheu filozofinë e vjetër ku çdo pjatë ka momentin e saj të lavdisë. Ai shpjegon me pasion se kuzhina e vërtetë elbasanllie është thellësisht 'stinore'. Për shembull, tava e famshme e kosit, sipas traditës, shijohet më së miri në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, kur qumështi dhe kosi arrijnë cilësinë e tyre maksimale.

Në anën tjetër, me ardhjen e të ftohtit, tryeza i lë vendin tavës me pistil, një gatim i fuqishëm dimëror me kumbulla të thara dhe mish dashi, që shërben si një 'zahire' e vërtetë për trupin. Ky respekt për produktet dhe ciklet e natyrës nuk është thjesht një detaj nostalgjik, por themeli i një shije autentike që Shef Naimi përpiqet të ruajë dhe promovojë. Ai argumenton se Elbasani ka shumë më tepër për të ofruar përtej tavës së kosit dhe ballokumes, duke përmendur gatime si ravania me miell misri dhe mishin e kecit me kumbulla jeshile në pranverë, duke i ftuar të gjithë të rizbulojnë kalendarin e shijeve të këtij qyteti të pasur./L.F-dritare.net