Nga drejtori i ri i Doganave te fondet e rindërtimit! Ja vendimet e qeverisë
Dritare.net

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh në mbledhjen e 20 nëntorit, që lidhen me ndryshimet në administratën shtetërore, financimin e rindërtimit, partneritetet publike-private, administrimin e pronave publike dhe përgatitjet për integrimin europian.
Një nga vendimet kryesore është ndryshimi në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Qeveria ka vendosur lirimin nga detyra të Besmir Bejës dhe emërimin e Fation Shehut në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Mbi 319 milionë lekë për banesat e dëmtuara nga tërmeti
Qeveria ka miratuar gjithashtu përdorimin e 319 milionë e 350 mijë e 424 lekëve, pa TVSH, nga Fondi i Rindërtimit, për përforcimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë.
Nga kjo shumë, Bashkia Shijak do të përfitojë 20.3 milionë lekë, Bashkia Vorë rreth 222 milionë lekë, ndërsa Bashkia Krujë rreth 77 milionë lekë.
Financimi do të përdoret për banesat e klasifikuara me shkallë dëmtimi DS4, të cilat kërkojnë ndërhyrje për rikonstruksion dhe përforcim, por jo rindërtim nga e para.
Rregulla të reja për partneritetet publike-private
Në mbledhje janë miratuar edhe rregullat për mbështetjen financiare dhe vlerësimin e risqeve fiskale që lidhen me kontratat e partneritetit publik-privat (PPP).
Vendimi përcakton format e mbështetjes financiare, përfshirë subvencionet, kontributet kapitale, bashkëfinancimin nga buxheti i shtetit, pagesat për disponueshmëri dhe garancitë kontraktore.
Ministria e Financave do të ketë përgjegjësinë për vlerësimin e angazhimeve financiare dhe risqeve të mundshme për buxhetin.
Shqipëria përgatitet për sistemin e informacionit të BE-së
Një tjetër vendim lidhet me përgatitjet për përfshirjen e Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI) të Bashkimit Europian.
Qeveria ka përcaktuar strukturat përgjegjëse, procedurat e bashkëpunimit administrativ, trajnimin e punonjësve dhe masat për mbrojtjen e të dhënave personale.
Shkëmbimi operacional i informacionit përmes këtij sistemi do të nisë pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ose më herët, nëse kjo parashikohet nga një marrëveshje përkatëse.
Kompensim qiraje për punonjësit e transferuar
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe kriteret për kompensimin e qirasë për punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Kompensimi do të jepet për punonjësit që transferohen mbi 36 kilometra larg vendbanimit të përhershëm dhe të cilëve institucioni nuk u siguron strehim.
Për punonjësit pa persona në ngarkim, kompensimi do të llogaritet mbi një sipërfaqe banimi prej 30 metrash katrorë, duke shtuar 10 metra katrorë për çdo pjesëtar tjetër të familjes.
Vendime për pronat publike në Tepelenë, Himarë dhe Maliq
Qeveria ka miratuar kalimin në kontratë qiraje me tarifë 1 euro të kontratës ekzistuese mes Bashkisë Tepelenë dhe shoqërisë “ZAGROTURIZËM” sh.p.k.
Gjithashtu, është miratuar lista përfundimtare e pjesshme e pronave shtetërore që transferohen në pronësi të Bashkisë Himarë, si dhe kalimi në përdorim të Bashkisë Maliq i disa pronave publike, për të cilat ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi.
Në përfundim, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe një ndryshim në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029, duke zëvendësuar aneksin që përmban Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare./dritare.net